TIRANE – Varrezat e makinave që ende nuk janë larguar nga rrugët nacionale, ashtu si parashikohet në ligj, kanë afat deri në 31 janar 2016. Kjo gjë është deklaruar nga kryeinspektori i ISHMP-së, Ergys Agasi.

Sipas tij, Inspektorati gjatë këtij muaji ka evidentuar me procesverbale inspektimi 212 subjekte në total, të cilave iu është bërë njoftim “për lirimin e hapësirave dhe marrjen e masave vullnetare nga ana e subjekteve”. Nga të cilat rezulton se 144 subjekte i kanë larguar vullnetarisht automjetet në fund të jetës nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin. “Kërkoj nga inspektorët në rang vendi që të vazhdojnë kontrollin rigoroz dhe të gjitha subjekteve private që të kryejnë zhvendosjen në mënyrë vullnetare brenda afatit. Rrugët nacionale në Shqipëri nuk mund të ofrojnë pamje varreza makinash”, – u shpreh Agasi.

Do të vazhdojë kontrolli rigoroz nga ana e Inspektoratit për shpërnguljen e çdo subjekti varreze makinash. Këto subjekte kanë afat që të zhvendosen deri më 31 janar 2016, në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: