TIRANE– Qeveria Rama ka vendosur që të hedhë e para hapin drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Greqinë, duke vendosur për ndërtimin e varrezave të reja të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke 1940-1941. Ky ka qenë një nga kushtet kryesore që ka vendosur çdo qeveri greke në bisedimet Shqipëri-Greqi. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të datës 13 dhjetor 2017.

Duket se negociatat dy ditorë me 11 dhe 12 nëntor në ishullin e Kretës midis dy ministrave të Jashtëm, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, nuk kanë qenë aq të pafrytshme sa u deklarua zyrtarisht. Aktualisht në vendin tonë janë dy varreza të ushtarëve grekë, një në Këlcyrë dhe një në fshatin Bularat të Dropullit. Këto varreza janë ndërtuar gjatë mandatit të dytë të qeverisë Berisha që i ka përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitet 2010-2012.

Në vendimin e tanishëm të Këshillit të Ministrave nuk përcaktohet se sa varreza do të ndërtohen dhe vendet ku do të ndërtohen ato. Sipas VKM del se varrezat nuk kufizohen në numër dhe as në vendndodhje.
Por lidhur me këtë çështje, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta thotë se ministri i Jashtëm Bushati duhet të dalë dhe të flasë për këtë çështje.

Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Baleta thotë se marrëdhëniet me Shqipërisë dhe Greqisë nuk varen nga çështja e varrezave të ushtarëve grekë.

“Ministri i Jashtëm Bushati duhet të dalë të thotë se e ka mbajtur këtë qëndrim në Kretë për të qenë koherent me qeveritë e mëparshme. Por është një koherencë fatkeqe, që s’duhet të ketë vend në demokracinë shqiptare. Miqësia shqiptaro-greke nëse e synojmë nuk bëhet nëpërmjet ligjit të luftës apo varrezash. Po qe miqësi e bazuar mbi ligjin e luftës apo varrezash të ushtarëve greke në Shqipëri, kjo s’ka për të qenë kurrë miqësi. Ky është problem që është diskutuar. Kështu është politika greke, që nëpërmjet varrezave do të mbështesë politikën e saj të njohur.

Ministrit Kotzias i duhet një sukses për politikën në Greqi, dhe ministri ynë s’ka patur me se ta kënaqë dhe e ka bërë këtë lëshim dhe besoj se kjo është nën ndikimin e Europës. Varrezat nuk krijojnë miqësi, as marrëdhënie të mira, por përcjellin pretendimin e qeverisë greke për Vorio-Epirin. Ata kanë varreza në Shqipëri, çfarë kërkojnë. Kanë varreza pa varre. Si mund ta harrojmë ne Kosinën, na zhvarrosën njerëzit atje për të gjetur dy eshtra për varret greke, se i kanë varrezat bosh. Ministria e Jashtme duhet t’u kërkojë listën e këtyre ushtarëve greke të vrarë këtu në Shqipëri.

Pretenduan një numër të madh ushtarësh të vrarë, rreth 12 mijë, por tani nuk gjejnë dot as 100. Nëpërmjet minoritetit, varrezave dhe Kishës, Greqia kërkon të ushtrojë presion. Ata kanë bërë varreza në Këlcyrë dhe nuk kanë futur të vdekur brenda. Ku është parë kjo? Duhet parë nëse ushtria greke ka hyrë si çlirimtare në Shqipëri, apo si pushtuese? Grekët vetë kanë thënë se “ushtarët tanë trima hynë atje për të çliruar tokat greke, Vorio-Epirin”. Ky është problem i stisur që gjithnjë ka për të na bërë sherr, dhe kështu me marifete të tilla asnjëherë nuk mund të bëhen marrëdhënie të mira”, u shpreh ish-ambasadori Baleta.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb