SIRI- Aylan dhe Galip dy fëmijët që humbën jetën në përpjekje për të ikur drejt Perëndimit për një jetë më të mirë dhe të sigurt do të prehen tashmë të qetë në vendlindjen e tyre.

Babai i pikëlluar i dy fëmijëve refugjatë sirianë që u mbytën së bashku me nënën e tyre i ka varrosur sot ata në Kobane ndërkohë që u bë e ditur po ashtu se 11 të afërm të tyre janë masakruar nga militantët e shtetit islamik në qytetin e shkatërruar nga lufta.

Aylan 3-vjeçar, vëllai i tij Galip 5-vjeçar dhe nëna e tyre Rehan vdiqën kur një barkë e vogël u përmbys në përpjekje për të arritur në ishullin grek të Kos në mes të natës.

Babai i tyre arriti në Kobane nga Turqia dhe ku u krye edhe ceremonia mortore. Po sot u zbulua se 11 anëtarë të familjes së tyre u vranë nga terroristët në qershor. Një turmë e njerëzve ishin mbledhur në Kobane derisa trupat e dy fëmijëve të vegjël dhe ai i nënës së tyre po përgatiteshin për tu përcjellë për në banesën e fundit.

Babai i fëmijëve ka deklaruar për agjencinë e lajmeve Dogan në aeroportin Ataturk të Stambollit se ai ndihet ende në shok. “Si një baba i cili humbi fëmijët e tij, unë nuk dua asgjë për veten time nga kjo botë. Gjithçka që dua është që kjo tragjedi në Siri të përfundojë dhe paqja të mbretërojë sërish”, është shprehur ai.

Ndërkaq gjyshi i dy fëmijëve Sexo Seno Kurdi tha për Newsweek se “Vetëm disa muaj më parë ne kemi humbur 11 anëtarë të familjes. “Tani vajza ime dhe nipërit kanë rënë gjithashtu martirë për Kobane”, ka thënë ai.

Në mesin e të vrarëve në qershor ishin disa nga kushërinjtë e djemve të vrarë si dhe halla e tyre. Disa ishin vrarë në shtëpitë e tyre.

Luftëtarët e Shtetit Islamik luftuan për katër muaj për të kapur Kobanen vitin e kaluar, por luftëtarët kurdë të mbështetur nga sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA-të morën përsëri kontrollin në janar në një humbje simbolike për xhihadistët. Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, një grup i trafikantëve u dërguan në një gjykatë në Bodrum pasi u arrestuan me dyshimin për organizimin e udhëtimit fatal në të cilin humbën jetën dy fëmijët sirianë dhe nëna e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: