Presidenti Putin ka gënjyer vazhdimisht për Poloninë dhe e ka bërë gjithmonë me vetëdije, deklaroi kryeministri polak Mateusz Morawiecki në lidhje me deklaratat e fundit të kreut të shtetit rus.

“Kjo ndodh zakonisht në një situatë kur autoritetet në Moskë ndiejnë presion ndërkombëtar të shkaktuar nga veprimet e tyre. Dhe ky presion nuk është në skenën historike, por në skenën moderne gjeopolitike”, shkroi Morawiecki në Twitter.

Ai shtoi se përgjatë javëve të fundit Rusia ka pësuar disa dështime serioze.

Morawiecki deklaroi se po fliste për dështimin e një përpjekjeje për të nënshtruar plotësisht Bjellorusinë dhe për zgjatjen e sanksioneve të BE-së, të vendosura pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë.

“Bisedimet sipas të ashtuquajturit ‘Formati i Normandisë’ nuk përfunduan në heqjen e këtyre sanksioneve. Në të njëjtën kohë u vendosën më shumë kufizime, por kësaj here amerikane, që pengojnë dukshëm zbatimin e projektit ‘Nord Stream 2”, shkroi Morawiecki, duke shtuar se së fundmi sportistët rusë janë pezulluar katër vjet për doping.

“Fjalët e presidentit Putin i konsideroj si një përpjekje për të fshehur këto probleme. Udhëheqësi rus është plotësisht i vetëdijshëm për faktin se akuzat e tij nuk kanë asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe se në Poloni nuk ka monumente të Hitlerit ose Stalinit. Monumente të tilla qëndruan në tokën tonë, vetëm kur u ndërtuan nga sulmuesit dhe kriminelët, përkatësisht Gjermania Naziste dhe Rusia Sovjetike”, deklaroi ai.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb