Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka thënë pas mbledhjes së Këshillit Politik se ndalimi i koalicioneve parazgjedhore është një puç kushtetues nga PS dhe disa individë dhe jo nga opozita parlamentare.

Vasili ka konfirmuar se Rudina Hajdari ka firmosur vetëm për Lista të Hapura dhe jo për ndalim koalicionesh.

Sipas Vasilit, Rama ka frikë nga humbja e sigurt qe i vjen nga koalicionet parazgjedhore prandaj do që t’i ndalojë.

”Doja t’iu sqaroj, për të qenë krejtësisht transparent me publikun që në 6 muaj të këtij Komisioni, në këtë sallë, apo dhe rezidencat e ndërkombëtarëve, kurrkush as nga PS as nga përfaqësues të tjerë në atë sallë dhe në Kuvend, nuk është thënë dhe kërkuar qoftë dhe njëherë të flitet për koalicionet parazgjedhore. I vetmi argument që është ngritur, në forma nga më të shumëllojshmet, me 7 apo10 drafte të ndryshme ka qenë sensibilitet i lidhur me listat e hapura, sensibilitet i cili adresohet në propozimin e kompromisit të opozitës, e cila thotë qartë: Po, hapim listat, 100% dhe jo me 2/3 e 1/3, që do të thotë sërish lista të mbyllura dhe sërish loja e Edi Ramës. Por qartësisht shprehemi për këtë pikë që ka të bëjë me një fjali të vetme në Kushtetutë.

Ndërkohë, edhe në mbledhjen e sotme, edhe të mëparshme, edhe publikisht, këto ndryshime të njëanshme janë vetëm produkt i PS dhe disa individëve të tjerë në Kuvend. Pasi sot u konfirmua edhe nga zonja Hajdari, se ajo kishte propozuar dhe kishte firmosur vetëm për lista të hapura dhe jo për koalicionet parazgjedhore. Pra, e gjithë kjo maskaradë, puç kushtetues, bëhet nga Partia Socilaiste, me disa individë të shkëputur. Pra çështja është vetëm koalicionet parazgjedhore, të cilat do të thonë baraz humbje e sigurtë për Edi Ramën. Së dyti dua sërish t’iu sqaroj, me qenë se para pak minutash këtu përpara jush zoti Gjiknuri në standardin e tij normal të mashtrimit publik, ashtu siç bëri me qëndrimin për listat e hapura, pyetjes suaj lidhur me modelin e fletës së votimit që ne propozuam, iu shmang duke thënë që është problem teknik.

Asnjë shqiptar nuk ka harruar që Edi Rama ka ulëritur, është çjerrë e ka lehur për të ashtuquajturat fletë votimi sa një çarçaf, që do shtriheshin që këtu e deri në fund të Bulevardit, ndërkohë që kur zgjidhja është fare e qartë e përpara syve, bëjnë sikur thonë problem teknik. Është shumë e qartë dhe e thjeshtë: Lista të hapura 100%, jo 2/3, ky është propozimi i opozitës. Koalicionet s’kanë asnjë lidhje me këtë çështje dhe fare mirë, sikurse e keni parë në modelin e asaj flete votimi, listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore, të cilët kanë qenë faktor stabiliteti, s’kanë qenë kritikuar kurrë, nuk kanë pasur asnjë shqetësim nga qytetarët, mund të bashkëjetojnë lehtësisht të dyja. Pra këtu s’ka lidhje fare me asnjë kërkesë apo shqetësim, por vetëm frikën e tmerrshme të Partisë Socialiste për humbjen që e pret. Është e qartë që 85% e shqiptarëve ja kanë dhënë verdiktin dhe çdo lloj përdredhje apo spërdredhje nuk e ndryshon dot fatin e tyre, fatin e shkruar e të bërë publik qoftë në dosjen 339, por që çuditërisht SPAK nuk ka filluar nga numri më i vogël që është 184, por ka filluar nga 339. Ne kemi durim të shohim dhe të parën edhe të dytën.”- tha Vasili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb