Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaroi sot se i madh dhe i vogël, në këto ditë shumë të vështira të motit të keq, por edhe të pandemisë, janë bindur përfundimisht që Shqipëria nuk ka as Kryeministër dhe as qeverisje. Sipas tij, ka vetëm skena, ka një teatër dhe një propagandë që vazhdon pa fund.

Vasili publikoi një video me disa nga ngjarjet e fundit, që sipas tij flasin më shumë se çdo koment tjetër, “për të kuptuar njëherë e mirë që shqiptarëve u duhet një qeverisje e vërtetë, një kryeministër i vërtetë dhe nuk u duhen njerëz që tallen, njerëz të cilët spekulojnë, shpërdorojnë dhe bëjnë gjithçka për të mashtruar shqiptarët”.

“Po ju tregoj përkundrejt propagandës së shëmtuar dhe të neveritshme të qeverisë në këto të vështira, më të ashtuquajturin ‘shërbim shëndetësor’ e me fotot e tyre propagandistike, se cili ka qenë realiteti dhe së bashku le të ndjekim videon. Një video, e cila flet vetë se si vetëm rreth 10 kilometra nga Peshkopia, të rinj e të reja por edhe qytetarë të tjerë përpiqen me çdo kusht e me çdo mjet të çojnë një të moshuar për në spital, në gjendje shumë të vështirë shëndetësore, e pa ndihmuar, e pambështetur nga asnjë segment i shtetit. Dhe kjo e moshuar, për fat të keq, për mungesë të ndihmës mjekësore, humbet jetën.
Pra, humbet jeta 10 kilometra nga Peshkopia dhe asnjë mjet, asnjë lloj ndihme nga ana e shtetit, nga asnjë lloj forme, nuk i ofrohet dhe megjithëse qytetarët e shkretë bëjnë të pamundurën, me ç’ kanë në dorë, nuk ia arrijnë dot të shpëtojnë të moshuarën.
Përkundrejt kësaj, ju shikoni foto propagandistike, të cilat tregojnë mjekë që tregojnë mjekë që bëjnë sikur matin tensionin në borë, siç e shikoni, ja tek i keni fotot, të cilat janë të turpshme edhe nga ana profesionale. Shikoni që edhe stetoskopi i tyre vendosën në anë të krahut të pacientit, e ku një e moshuar, e cila do të maste tensionin, nxirret me triko në mes të dëborës, vetëm e vetëm për propagandë. Këto pamje, këto foto flasin më së miri se çdo gjë tjetër.
Gjithashtu ju ftoj të ndiqni, sikurse e shihni, një video tjetër, e cila tregon gjendjen e rrugëve. Shikoni se ç ‘ndodh në këtë video. Shikojini punëtorët e shkretë, këta hedhin kripë, nuk iu japin as lopata, këta që duhet të mirëmbajnë rrugët. Harxhojnë miliarda për rrugët, por punëtorët hedhin me grushte me duart e tyre nga një cikë kripë nëpër rrugë”, deklaroi Vasili.

Ai pyeti, a është kjo qeveria që i përgjigjet emergjencave? “Për këtë qeveri flasin? Me këtë mburren? Kjo është propaganda? Një ministre që e hipin në një borëpastruese? Ja ky është shteti. Një shtet, i cili hedh kripën për të hapur rrugën nga dëbora me grushte, me dorë. Ndërsa të tjerë që shtyjnë një automjet për të shpëtuar një të sëmurë, e cila humbet jetën sepse nuk arrin dot për vetëm 10 kilometra të shkojë në spital.
Pra, të nderuar qytetarë, ky është realiteti, kjo është e vërteta e pamohueshme dhe të gjitha këto video që shikoni janë video të bëra nga vetë qytetarët, të cilëve u ka plasur shpirti nga një qeverisje e pashpirt.
Jo më larg se dje, ju e dini se, për të luajtur e për të fshehur shifrat, e për të hutuar përsëri me propagandë qytetarët, kanë ulur mbi 30 për qind numrin e testimeve dhe janë bërë 1200 testime më pak, kur duhet të ishin bërë 4 mijë më shumë, për të fshehur gjendjen e pandemisë, në vend që të përballen me këtë gjendje pandemie.
Të ofrojnë ndihmën në banesë, të ofrojnë barnat gratis në banesë, mbështetjen financiare në banesë. Të tëra këto probleme të mijëra qytetarëve, të cilët dergjen nën trysninë e pandemisë, bëjnë një show, ashtu siç e patë, duke hapur gjoja qendra vaksinimi e duke prurë trastën e radhës me vaksina, e cila është shumë, shumë, shumë larg asaj nevoje për vaksinë për të cilën kanë nevojë shqiptarët. Mijëra shqiptarë, në mënyrë të përditshme, nëpër shtëpitë e tyre e nëpër banesa, duan qeverinë, duan shtetin e tyre për të cilin paguajnë para dhe nuk duan propagandë”, deklaroi Vasili.

Ai tha më tej se s’ka asnjë iluzion më për këtë qeveri, për këtë kryeministër, zero iluzione. “Ka vetëm një rrugë, ka vetëm një zgjidhje, ky masivisht, në një referendum të paparë në Shqipërinë pluraliste, më 25 prill duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga krye mashtruesi dhe krye mashtruesët, të cilët kanë luajtur dhe kanë guxuar të luajnë edhe në këtë moment që flasim, edhe me jetën, edhe me vdekjen e shqiptarëve”, deklaroi nënkryetari i LSI.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb