TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka dalë sot para mediave duke i kërkuar qeverisë hartimin e një plani sanitar që sipas tij është i vonuar për qarqet e prekura nga tërmeti.

Ai tha se zonat e prekura kanë një potencial epidemik për shkak të nyjeve sanitare të dëmtuara apo rrjetit të ujit e kanalizimeve.

“Kontrolli i gjendjes sanitare dhe në mënyrë të veçantë i qarqeve të prekura merr prioritet absolut e madhor. Në këtë situatë kërkohet dhe duhet të përpilohet hartimi i planit sanitar. E përsëri kërkohet hartimi i një plani sanitar. Ky plan sanitar ka disa momente thelbësore të tijat, që kanë të bëjnë me trajtimin rigoroz sanitar të zonave që po shkatërrohen. Kur objektet shkatërrohen kërkon një trajtim sanitar. Vetë objektet kanë nyje sanitare, rrjetet nëntokësore janë dëmtuar dhe këto zona kanë një potencial epidemik të mundshëm.
Kontrolli rigoroz i ujit të pijshëm dhe hartimi i buletineve ditore të ujit dhe duke imponuar një klorinim të përforcuar të zonave në ato zona që janë demonstruar vulnerabël apo të dëmtuar për shkak të tërmetit”, deklaroi Vasili.

Ai tha se në këto popullata të prekura duhet të mbahet nën kontroll me prioritet gjithë sistemi i vaksinimit. “Punonjësit në terren duhet të garantojnë që të mos iu cenohet skema e vaksinimit fëmijëve. Duhet të bëhet dhe të organizohet një kontroll i veçantë, i të gjithë të sëmurëve kronikë pjesë e familjeve të evakuara që në kushte të tjera, kanë rëndim të sëmundjes. Duhet të përcaktohet një sistem kontrolli sanitar i përditshëm dhe raportuar i vendqëndrimeve të improvizuara të cilat natyrshëm nuk janë vende të përcaktuara për grumbullime njerëzish dhe kontrolli i tyre do evitonte mjaft pasoja sanitare të dëmshme dhe të rënda për këto popullata”, u shpreh Vasili.

Ai tha më tej se hartimi i plani sanitar i përpiluar dhe i detajuar do të kërkojë raportim të përditshëm me zonat e prekura. “Mbajtja e këtij kontrolli sanitar ka rëndësi për të siguruar vendime e urdhrat e domosdoshëm dhe që gjendja e popullatës nga ana shëndetësore të jetë nën kontroll të plotë”, theksoi Vasili.

DEKLARATA E VASILIT
Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Jemi në një moment shumë delikat pas konsumimit të tragjedisë natyrore shumë të rëndë, me të cilën shqiptarët u përballën. Jemi pikërisht në momentin e pasojave pas-tërmet, të cilat janë të shumta, të komplikuara dhe sigurisht mjaft të vështira. Pa diskutim që nevoja e rikonstruktimit, e rindërtimit banesave, shtëpive, aktiviteteve ekonomike dhe të shkatërruara është një prioritet, por është një prioritet, i cili natyrshëm do të kërkojë kohën e tij, financimin që e shoqëron atë dhe mbi të gjitha një zgjatje në muajt dhe javët që vijnë, të pa evitueshme.

Në këtë moment kontrolli i gjendjes sanitare të shtetit dhe në mënyrë të veçantë dhe me prioritet të zonave të prekura merr prioritet absolut dhe madhor. Në këtë situatë kërkohet dhe duhet të përpilohet urgjentisht, gjë e cila nuk ka ndodhur, por duhet marrë më përparësi dhe duhet të jetë prioritet i Komitetit të Emergjencës hartimi i planit sanitar. Pra po e theksoj, kërkohet në mënyrë të menjëhershme hartimi i një plani sanitar të mirëfilltë, i cili trajton të gjithë periudhën pas-tërmet. Pra këtë periudhë të një situate të jashtëzakonshme dhe në planin shëndetësor.

Ky plan sanitar i detajuar ka disa momente thelbësore të tij, të cilat pastaj duhet të zbërthehen në veprime konkrete dhe në financime konkrete, të cilat kanë të bëjnë në radhë të parë me trajtimin rigoroz sanitar të të gjitha zonave, të cilat po shkatërrohen. Pra në momentin ku objektet shkatërrohen kërkohet një trajtim sanitar shumë i veçantë, shumë i specializuar dhe profesional, i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me shëndetësinë e zonës, pasi vetë objektet e shkatërruara kanë nyje sanitare, relievi nëntokë është dëmtuar, rrjetet nëntokësore, qofshin ujëra të zeza apo të bardha apo rrjete të tjera janë dëmtuar dhe këto zona kanë një potencial të natyrshëm epidemik të paevitueshëm.

Së dyti, kërkohet një trajtim sanitar dhe identifikim tërësor i të gjithë rrjetit të kanalizimeve qoftë në zonën e dëmtuar, qoftë në zonën e padëmtuar në të njëjtat qarqe pasi lëvizjet e mëdha të relievit të tokës dhe stresi gjeologjik i krijuar për shkak të këtyre lëvizjeve dëmtojnë në mënyrë të paevitueshme këtë rrjet dhe sigurisht mundësitë e përzgjedhjes të ujërave të zeza, ujërave të bardha me ujin e pijshëm, janë eventualitete, të cilat jo vetëm duhet të kontrollohen, jo vetëm duhet të verifikohen, por raportimi i hollësishëm dhe skanerizimi i tyre është një prioritet madhor i shëndetit publik dhe mbrojtjes së situatës.

Kontrollo rigoroz, tashmë në këto kohëra i ujit të pijshëm dhe hartimi i buletinëve ditorë i këtij uji duke sugjeruar, madje imponuar një klorinim të përforcuar të zonave se bashku me të gjitha porositë përkatëse për evitimin e përdorimit të ujit të pijshëm në të gjitha ato zonat, të cilat janë demonstruar vulnerabël apo të dëmtuar për shkak të tërmetit duke bërë njëkohësisht dhe verifikimin e rrjeteve të tjera të ujërave të zeza apo të bardha, të cilat ndodhen përqark apo pranë tyre përfshirë këtu dhe depozitat e mëdha të ujit të pijshëm në të gjithë qarqet, të cilat janë dhe ato objekt i verifikimit shumë të hollësishëm, minucioz për të evituar çdo katastrofë përfshirë dhe sanifikimin e tyre.

Në mënyrë të veçantë në këto popullata të prekura për shkak të këtij eventi të jashtëzakonshëm duhet të vazhdojë të mbahet nën kontroll me shumë prioritet gjithë sistemi i vaksinimit dhe garantimi që skema e vaksinimit nuk do të cënohet dhe punonjësit e shëndetësisë në terren duhet të garantojnë që asnjë fëmije të mos i dëmtohet skema e vaksinimit, por edhe atyre të tjerëve që do të hyjnë në skemë tu garantohet kjo, pra e gjithë popullata fëminore duhet të mbahet në mënyrë të veçantë në një kontroll rigoroz, në mënyrë të veçantë popullata nga 0-5 vjeç dhe nga 0-1 vjeç me prioritet absolut, ku dhe mundësitë për mortalitet foshnjor janë më të larta se të tjerat shto kështu dhe rrethanat stresuese të tërmetit. Së pesti duhet të bëhet një kontroll i veçantë, me një skemë tepër të veçantë të gjithë të sëmurët kronik pjesë e të evokuarave nga familjet e tyre, të cilët duhet të verifikohen dhe të ri verifikohen dhe ripërcaktohen terapitë e tyre, pasi dihet që të sëmurët kronik në kushtet e një stresi të ri të sistemit në kushte jo normale, në kushte të reja, në kushte të vështira të jetesës së tyre siguron rëndim të sëmundjeve kronike.

Pra kontrolli rigoroz i tyre dhe ri përcaktimi i terapive do të thoshte evitim i komplikacioneve të cilat pse jo mund të kishin edhe pasoja për jetën e tyre. Njëkohësisht edhe në mënyrë të veçantë duhet të përcaktohet një sistem i veçantë kontrolli sanitar, i përditshëm, i raportuar dhe shumë rigoroz i të gjithë vendqëndrimeve të improvizuara siç janë vendqëndrimet me çadra, palestrat apo vendgrumbullimet e reja të improvizuara, të cilat natyrshëm nuk janë vende të përcaktuara për të tilla grumbullime njerëzish, por për të zgjdhur një nevojë të momentit të parë dhe natyrshëm kontrolli i tyre do të evitonte mjaft pasoja sanitare, shëndetësore sigurisht shumë të rënda dhe të dëmshme për këto popullata të cilat krahas stresit, humbjes banesës dhe kushteve jo normale që jetojnë do të përballeshin edhe me tjera të këtij lloji.

Është e qartë që hartimi i një plani sanitar ku unë vura në dukej disa nga shtyllat e tij, duke i përpiluar dhe detajuar do të kërkoj edhe raportim të përditshëm, komunikim të përditshëm me opinionin publik dhe me popullatën e të gjitha zonave të qarqeve të prekura, mbajtje e këtij kontrolli sanitar dhe e këtij informacioni ka rëndësi për të evidentuar se cilat këshilla, sugjerimet apo urdhrat e domosdoshme se si duhet të sillet popullata në këto zona dhe njëherazi do të thotë që gjendja e popullatës nga kjo anë shëndetësore të jetë në kontroll të plotë.

Duhet të jemi shumë të qartë dhe të prerë, momenti akut, pra ku kërkoheshin ndërhyrje akute shëndetësore të menjëhershme është kapërcyer. Pa asnjë diskutim që të gjithë mjekët e vijës se parë, mjekët kirurgë, traumatologë kanë kapërcyer në mënyrë të shkëlqyer këtë situatë dhe sigurisht kanë bërë edhe më tepër seç janë mundësitë e tyre. Sigurisht fjalët e mira dhe mirënjohja për ta nuk ka fjalë që ta përshkruajë, por sot jemi në një etapë të re, fjalën nuk e kanë më kirurgët e traumatologët të cilët e kryen në mënyrë të shkëlqyer detyrën e tyre, e kanë të gjithë punonjësit e shëndetit publik, e kanë të gjithë mjekët dhe infermierët e kujdesit parësor dhe ata janë ata që e marrin në dorë situatën, ku i gjithë inspektorati shëndetësor duhet të jetë në terren.

Pra sot emergjenca përballohet mbi dy shtylla, në një plan sanitar qeveritar i miratuar që monitorohet në mënyrë të përditshme që komunikohet në mënyrë të përditshme dhe sigurisht kjo armatë e kujdesit shëndetësor dhe shëndetit publik të cilët mbështesin dhe implementojnë në terren këtë plan.
Hartimi i planit sanitar nuk pret më dhe do ta quaj që është i vonuar, më mirë vonë se kurrë, kjo është një ndihmë konkrete që ne i ofrojmë shtabit të emergjencës, i cili si duket i marrë me këto prioritete të tjera të cilat kanë të bëjnë me efektet akute të ndërtesave të shkatërruara mundet të nënvlerësojë, të neglizhojë dhe të lërë një aspekt shumë delikat, i cili mund të dominonte skenën shumë më rëndë se të gjithë aspektet e tjera. Pra hartimi i planit sanitar nuk pret më duhet hartuar brenda orësh. Ju faleminderit të gjithëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb