TIRANË

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili deklaroi sot se Spitali i Fierit do ketë më pak shtretër sesa qarku më i vogël i vendit, Kukësi. Në një deklaratë për mediat, Vasili tha se ky spital ishte premtuar dhe kishte një projekt të gatshëm që në vitin 2014. Sipas tij, projekti i spitalit të Fierit është paguar disa qindra mijëra euro dhe është prezantuar që në vitin 2014.

Ai theksoi se është një faqe e zezë për ata që përfaqësojnë qarkun e Fierit, në mënyrë të veçantë kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, që ndodhet atje në krah të tij dhe në vend të vinte duart në kokë që Fieri katandoset, rrinë e duartrokasin si shvejkër, për një copë mandat të qelbur deputeti.

DEKLARATA E PLOTË
shëndetësia është kryefjala e të gjithë shqiptarëve sot për shkak të pandemisë pa asnjë studim por dhe për shkak të gjendjes shëndetësore që rëndohet gjithmonë e më shumë. Megjithatë meqenëse kryeministri i Shqipërisë, ka marrë përsipër si gjithmonë të gënjejë pafund për shëndetësinë për këtë arsye shëndetësia është në këtë derexhe dhe për këtë arsye qytetarët vuajnë për ndihmën shëndetësore.

Po marr në mënyrë shumë konkrete gënjeshtrat e fundit të tij në Fier ku po flet gjerë e gjatë për një spital në Fier për gjoja një punë që po bëhet në ekstrem dhe do të bëhet për 2-3 muaj dhe po ju tregoj cila është e vërteta  e Fierit dhe raporti i shërbimit shëndetësore në Fier me Shqipërinë.

Praktikisht, projekti i spitalit të Fierit është paguar disa qindra mijëra euro po do keni mundësi të shikoni dhe në foto fakte konkrete vite më parë dhe është prezantuar që në vitin  2014. Ky është projekti, ky do duhej të ishte spitali i Fierit me 200 e ca shtretër. Eshtë prezantuar në 4 dhjetor të vitit 2014. Fiksojeni mirë të nderuar qytetarë dhe mos i harroni këto gjëra. Ja këtu keni dhe prezantimin në  dhjetor. Në prani të deputetit Subashi që sot është dhe kryetar bashkie.
U premtua që në 2014 dhe u paguan qindra mijëra euro dhe u premtua  e keni në faqen zyrtare të Spitalit të Fierit dhe do fillonin punimet në vitin 2015.

Asnjë nga ju nuk ka harruar që jemi në viti 2021 dhe meqë  jemi në prag të fushatës elektorale tani u kujtua Edi Rama për spitalin.

Veç të tjerave ju keni mundësi të ndiqni dhe premtimet publike. Një video shumë të shkurtër ku kryetari i bashkisë Armando Subashi premton që do të fillojë në fund të 2016 dhe njëherazi do të ndërtohej dhe një universitet mjekësie në Fier. Po të keni mundësi të shihni dhe videon që dëshmon deklaratën e Subashit.

Pra do të kishim prej vitesh një spital të ri dhe Universitet Mjeksie. Por të kthehemi te të vërtetat. Fieri, sipas projektit të Edi Ramës do të ketë një spital me 150 shtretër. Qarku i dytë në Shqipëri është Fieri.
Ta përkthejmë dhe nga ana elektorale. Është qarku i dytë pas Tiranës me 16 deputetë.

Do të ketë 150 shtretër, aq sa ka spitali i Burrelit. Për ta krahasuar me qarqe të tjera që nuk janë aq të mëdhenj sa Fieri janë më të vogla. Do të ketë në raport me Durrësin do të ketë më pak se gjysmën e Durrësit i cili ka 340 shtretër. Sa i takon Elbasanit ka 415 shtretër  ndërsa Fieri do të ketë 1/3.

Fieri do të ketë gjysmën e Kukësit, Kukësi ka 236 shtretër e Fieri do të ketë vetëm 150. Lushnja që është një qytet i rëndësishëm krah tij ka 215 shtretër e spitali i Fierit ka vetëm 150. Vlora ka 290 shtretër e spitali i Fierit ka 150. Shkodra ka 478 shtretër dy herë e gjysmë më shumë sesa Fieri që është qarku i dytë më i madh i vendit. Pra të gjitha pretendimet dhe gjithçka që prek me dorë Edi Rama është një mënxyrë. Mos harroni që dhe në kohë pandemie është thënë publikisht nga të gjithë. Shqipëria ka numrin më të vogël të shtretërve spitalorë në raport me popullsinë pra duhet të kishte më tepër. E Fieri nga rreth 400 shtretër që ka aktualisht do të ketë 2 herë e gjysmë më pak.

Pse gjithë kjo. Se duhet që të bëjë ky një show elektoral. Të ndërtojë një spital me rrëmbim për 3 muaj sikur është spital lufte dhe ta katandisi popullsinë e qarkut të dytë më të madh të vendit si kokoshi në një thelë. Pasi e gënjeu 7 vite me radhë me dokumenta të paguara qindra mijëra euro. Unë bëj pyetje kush do t’i paguajë paratë e projektit qindra mijëra euro që vajti në kosh të plehrave. Projekti nga studio e mirënjohur Atelie 4 dhe e prezantuar. Do t’i paguajë Edi Rama? Bashkia? Ku do hidhen? Si tallen këta me shëndetësinë. Kur treguesit spitalorë kanë qenë nga më të mirët pse duhet të katandisen spitali i fierit me gjithë ato shërbime që do qënkërka në dorë të disa mjekëve turq. Që do të vënë ata gishtin ky bën e ky nuk bën.

Po kush e përballon përditshmërinë? Nuk janë gjithë ata mjekë e infermierë. Kush po i bën? Mjekët turk po i përballojnë? C’është ky poshtërim?
Çfarë është ky injorim. I quan heronj, dikush mund të kritikojë sepse thotë pse e merr seriozisht një sharlatan. Por jam i detyruar ta marr se është kryeministri i Shqipërisë. Dhe ndërkohë këta do kalojnë në një filtër a bëjnë a s’bëjnë. Kush e përballon gjendjen shëndetësore të popullsisë së të gjithë qarkut të Fierit? A janë ata mjekë e infermierë? Kush po përballet me pandeminë? Nesër, në funksion të pazareve të Edi Ramës, me klientë turk, këta do jenë o futen o s’futen. Mbajeni mend, qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri do të ketë 40% më pak shtretër sesa qarku më i vogël me popullsi, që është qarku i Kukësit. Ky është vlerësimi i Edi Ramës për qarkun e Fierit, ky është vlerësimi për shëndetësinë shqiptare dhe ky është njeriu që sa herë ta shikoni jini të vëmendshëm, thellohuni, pyesni, sepse do të zbuloni menjëherë një tjetër gënjeshtër kolosale të radhës.

Është një faqe e zezë për ata që përfaqësojnë qarkun e Fierit, në mënyrë të veçantë kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, që ndodhet atje në krah të tij dhe në vend të vinte duart në kokë që Fieri katandiset, rrinë e duartrokasin si shvejkër, për një copë mandat të qelbur deputeti.

Megjithatë, më 25 prill, do të marri një përgjigje e gjithë kjo maskaradë, që bëhet në dëm të shëndetit të njerëzve dhe patjetër Fieri dhe jo vetëm, do të marrë përgjigjen e duhur për shëndetësinë, në atë mënyrë, në atë formë dhe madhësi që meriton, pa u gënjyer, duke folur me transparencë, e duke i zgjidhur problemet në atë mënyrë që të jenë afatgjata, dhe jo për të mbaruar hallin e karriges së Edi ramës, i cili për karrige shet Shqipërinë e shet çdo gjë që të ketë vetëm 5 minuta më shumë në atë karrige. Por ajo karrige i ka ikur prej kohësh. Më 26 prill do të gdhihet ashtu sikurse ka pasur edhe prezantimin e tij të madh në politikë: gollomesh përpara shqiptarëve!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb