TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi sot një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë administrative nr. 9 në Bashkinë e Tiranës. I pranishëm në këtë takim ishte Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Duke evidentuar punësimin dhe arsimimin e të rinjve si një nga problematikat kryesore, Vasili u shpreh në fjalën e tij se programimi elektoral i LSI-së parashikon një punësim real për të rinjtë dhe që garanton hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës.

“LSI premton ato që realizon dhe ka një premtim shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm: në katër vjetët që vijnë, nën drejtimin e LSI-së forcë e parë, 100.000 punësime për të rinjtë. 100.000, një numër që nuk është realizuar kurrë në Shqipëri. Vetëm turizmi ka një potencial të programuar nga ne për të realizuar 35.000 të rinj të punësuar. Bujqësia ka një potencial që realizohet brenda 4 vjetëve nga ne për 25.000 të punësuar. Infrastruktura ka një potencial plotësisht të arritshëm, për 25.000 dhe 15.000 të tjerë janë në sektorin shumë të rëndësishëm të shërbimeve, informatikës, shërbimeve juridike. Pra 100.000 vende pune për të rinj është një objektiv i qartë, i menduar mirë dhe që do të realizohet në drejtimin e LSI-së në katër vjetët që vijnë”, theksoi Vasili.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryetar i LSI, njëherazi President i zgjedhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: