TIRANE– Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka pritur sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë një delegacion me përfaqësues të parlamentit serb. Nga të dyja palët u shpreh gatishmëria për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet në fusha të ndryshme.

Vasili, në këtë takim ishte në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Serbi, ndërsa pala tjetër përbëhej nga Dr. JankoVeselinovic, kreu i Komisionit për Diasporën dhe Serbinë në Rajon, të Parlamentit serb, Aleksandër Çortiç dhe Milan Duriç, si dhe nga Ambasadori i Republikës së Serbisë në Shqipëri, Zariç.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Vasili theksoi pozitivitetin e këtij takimi dhe shprehu ndjeshmërinë e veçantë për pakicat kombëtare.

Gjatë bashkëbisedimit, Vasili deklaroi se të dy grupet mund të bëjnë më shumë duke kërkuar komunikim më të shpeshtë. “Unë mendoj të fillojmë komunikimin më të shpeshtë pasi diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme. Kjo vizitë e këtij Komisioni nga Parlamenti serb është tepër pozitive, që popujt e të dy vendeve të shikojnë që politikanët flasin e komunikojnë me njëri-tjetrin, pasi kështu vendoset edhe fryma e bashkëpunimit”, tha Vasili. Ai e vlerësoi vizitën, si një rrugë të re komunikimi.

Ndërsa Dr. Janko Veselinoviç e falënderoi mikpritësin për këtë frymë miqësie që ndjehet. “Bashkëpunimi i grupeve të miqësisë së Kuvendit dhe Parlamentit Serb ka shumë rëndësi për integrimin europian, ekonominë, arsimin dhe të drejtat e njeriut. Ndaj ne duhet t’i intensifikojmë edhe më tej këto marrëdhënie duke i zhvendosur ato edhe në nivel ekzekutiv”, tha Veselinoviç.

Ai shtoi se “Është e vërtetë që kishim shumë paragjykime për popullin shqiptar dhe për problemet që mund të kenë me pakicat serbe, por këto dy ditë u vërtetua krejtësisht e kundërta”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb