TIRANE – Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili theksoi sërish se Lëvizja Socialiste për Integrim konsideron me rëndësi performancën e suksesshme të qeverisë, duke nënvizuar se personalizimi nuk është qasje e LSI-së. Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Vasili tha se takimi i djeshëm mes kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta ishte rutinor.

“E rëndësishme dhe parësore është një performancë e suksesshme dhe mbajtje e një rezultati reformash në ritmin e duhur. Qasja me emra nuk është qasja jonë. Ne mbështesim punën e qeverisë, kryeministri ka tagrin për ndryshime. Prioritare për ne nuk është personalizimi. Takimi i djeshëm Rama-Meta rutinor, një ditë përpara seancës. Kryeministri kurdo që kërkon mbështetjen tonë do ta ketë. LSI është pjesë e një skuadre qeveritare, ka veshur një fanellë , ndryshimet partiake bien dhe skuadra luan për një performancë më të mirë. Jemi të interesuar që performanca të jetë në ritmet e duhura, në mënyrë që rezultatin e 2013-ës ta ripërsërisim edhe në 2017-ën”- deklaroi Vasili.

Lidhur me ndeshjen Serbi-Shqipëri, Vasili tha se “demonstrimi i qytetarisë dhe i sjelljes europiane në ndeshje do të ishin më të rëndësishme se rezultati i saj”.

“Ajo që duhet të tregojmë sot është qytetaria dhe demonstrimi i një miqësie e sjellje civile, europiane. Sa i takon rezultatit kjo gjë vjen e fundit dhe të gjithë duhet të shkojmë në ndeshje me këtë ndjenjë”, – tha Vasili

Sot, vijoi ai, është festa e futbollit dhe e demonstrimit të një miqësie. Besoj se për herë të parë si sportdashës rezultati nuk ka më rëndësi, sa ka rëndësi të demonstrojmë një sjellje europiane, – tha nënkryetari i LSI-së.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: