Nga Darina Tanushi
Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi vlerësoi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se ky është një vit pune për maxhorancën, në pritje të qershorit 2019 për negociatat me Bashkimin Evropian.

Nisur nga deklaratat e bëra edhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu, për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, Hysi tha se ai ka qenë konsistent gjithmonë në qëndrimet e tij. Ajo që shqetëson është pandëshkueshmëria për disa krime. Hysi shprehet se edhe reforma zgjedhore po ecën si duhet, por mbetet në pritje të gjetjes së konsensusit me opozitën.

Znj.Hysi, Këshilli i BE-së caktoi qershorin e vitit 2019 për diskutimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërkohë që ju si maxhorancë prisnit që ato të hapeshin këtë qershor. A ndiheni të zhgënjyer?
Deri më sot Shqipëria nuk kishte marrë një datë të caktuar për hapjen e negociatave. Është hera e parë që Këshilli Evropian caktoi datën, ndërkohë që Komisionin Evropian që ndjek nga afër reformat në Shqipëri dhe progresin e arritur i rekomandoi Këshillit hapjen e negociatave pa kushte. Unë nuk ndihem e zhgënjyer kur analizoj progresin e bërë dhe nevojën për vazhdimin e reformave, përbërjen si dhe problematikat me të cilat përballet vetë Bashkimi Evropian, për shkak të rritjes së partive politike të djathta dhe presionit që ato u ushtrojnë qeverive të tyre. Ky është një vit skanimi analitik për progresin e bërë dhe nuk duhet të humbim kohë me debate jo produktive, por të vazhdojmë reformat e nisura dhe të bëjmë më të dukshme rezultatet.

Një nga rekomandimet që janë dhënë për këtë vit parapërgatitor deri në marrjen e një vendimi vitin që vjen është edhe reforma zgjedhore, për të cilën ka kohë që diskutohet, por ende asnjë draft final. A do t’i mbetet sërish minutës së fundit ndryshimi i Kodit?
Reforma zgjedhore ka filluar tashmë. Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore është mbledhur në mënyrë të vazhdueshme. Të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ ODIHR në raportet e vitit 2013, 2015 dhe 2017 janë evidentuar, grupuar sipas fushave dhe tematikave dhe janë marrë një për një në shqyrtim në mbledhjet e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndryshe nga reformat e tjera zgjedhore, komisioni po ndjek një metodologji që mund të ketë marrë kohë më shumë, por është e dobishme. Ky proces është gjithëpërfshirës dhe për çdo grup rekomandimesh janë zhvilluar seminare, konferenca, konsultime me ekspertë vendas dhe ndërkombëtare, të partive politike, të pavarura, të shoqërisë civile, të OSBE/ODIHR, Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, janë zhvilluar seanca dëgjimore dhe janë analizuar raportet dhe rekomandimet e vëzhguesve vendore. Me mbylljen e konsultimeve publike, fillon përgatitja e shtesave dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ky proces nuk do të lihet për minutën e fundit, nëse mbajmë parasysh ecurinë e procesit të konsultimeve. Gjithçka do varet nga gjetja e konsensusit mes forcave politike, pasi ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të jenë konsesuale dhe të votohet me 84 vota.

Në bazë të këtyre rekomandimeve të Këshillit të BE-së, për një dialog më konstruktiv me opozitën, si do të arrini të lidhni urat e bashkëpunimit gjatë këtij viti?
Në fakt, për shumë çështje ka pasur përpjekje për të arritur konsensus me opozitën. Mjafton të sjell në vëmendjen tuaj dhe të lexuesve që Kodi i Sjelljes së deputetëve u miratua pas 3 viteve pritjeje të konsensusit me opozitën, ndonëse kjo na dëmtoi shumë. E them këtë se miratimi i Kodit të Sjelljes ishte jo vetëm i nevojshëm, por edhe kusht nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (Greco). Kemi më shumë se një vit, që presim opozitën të vijojë mbledhjet e Këshillit të Legjislacionit për të reflektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në ligjet e paketës së reformës në drejtësi, apo përpjekjet e bëra për të arritur konsensus për ngritjen e organeve të vetingut. Mazhoranca është e hapur dhe do të vazhdojë të mundësojë gjetjen e konsensusit me opozitën, por nga ana tjetër, opozita duhet të marrë dhe të përmbushë përgjegjësitë e saj lidhur me integrimin evropian. Deri më sot angazhimi i opozitës lë shumë për të dëshiruar.

Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/07/09/vasilika-hysi-opozita-te-mos-sillet-pa-pergjegjesi-te-hapur-per-konsensus/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb