TIRANË

Deputeti i opozitës së re parlamentare Kostaq Papa është larguar nga grupimi demokrat pasi ka kërkuar sot dorëheqjen e nënkryetares së Kuvendit Vasilika Hysi, të cilën e akuzoi për censurim të fjalës së tij, të paktën në 3 raste. Papa akuzoi për pseudodemokraci grupimin demokrat dhe tha se për përfitime personale duan të veshin veprimet jo korrekte të shtetit me fasadë.

“E lëshoj grupin parlamentar dhe jap dorëheqje prej tij duke i lënë paudhësitë politike, duke i falënderuar për bashkëpunimin po i lë në pseudodemokracinë e tyre që paraqesin të fshehur realitetin. Nuk kam ndërmend të merrem me asnjërin realisht as me prezantime fiasko papagalli por me fenomene politike dhe fshehjen që duan t’i bëjnë demokracisë dhe fasadës që duan të veshin veprimet jo korrekte të shtetit për përfitime personale, më falni për fjalën për bythëlëpirje”, deklaroi Papa.

Duke iu përgjigjur kreu i Kuvendit Gramoz Ruci, tha se është e drejta e tij të ankohet sipas legjislacionit dhe të zgjedhë të hyjë apo të dalë nga një grup.
“Lidhur me atë që thatë për nënkryetaren nuk ndaj të njëjtin mendim, por është e drejta jote nëse ke vërejtje për mua apo zëvendësen, rregullorja është e qartë drejtoju institucioneve të parlamentit të marrin masa nëse e shohin të arsyeshme. Sa per ikjen nga grupi është e drejta juaj ku të futeni ku të dilni”, deklaroi Ruçi.

Kostaq Papa është një prej deputetëve të opozitës parlamentare, i cili ka hyrë në Parlament nga lista e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës dhe njëkohësisht është edhe kreu i Partisë Emigracioni Shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb