TIRANË

Analistët janë të ndarë në qëndrimet e tyre për listat e kandidatëve për deputetë nga dy kampet kryesore politike. Analisti Arjan Vasjari e shikon si të sforcuar vendosjen e femrave të parat në listë nga ana e PS.

“E shikoj shumë hipokrite qasjen, gati të sforcuar të femrave të parat në listë. Margariti për mua ishte një model për të cilin politika ka nevojë sepse nuk i kemi aq të shpeshta. Nëse më pyet se cili ka qenë rezultati i barazisë gjinore në politikën shqiptare, rezultati i vetëm ka qenë ky që femrat janë bërë meshkuj. Të paktën ajo e ka ruajtur këtë profil, e ka manifestuar një ndjeshmëri ndaj qytetit, ka manifestuar dhe një lloj distance ndaj një politike agresive ndaj monumenteve të kulturës”, tha Vasjari në “Real Story” në News24.

Ndërkohë që për Skënder Minxhozin është goditëse vendosja e tyre në krye të listës. Sipas tij, është një tendencë e kryeministrit për ta bërë 25 prillin një segment gare ku ai do të garojë vetëm me Lulzim Bashën dhe të tjerët do të jenë në funksion të kësaj loje.

“Do vija re dhe një aspekt tjetër të kësaj taktike të Ramës për të zbehur politikisht kokat e listave. Është mes rreshtave një tendencë që e ka pasur që në fillim të fushatës elektorale, që është ajo e evitimit të goditjes ndaj të gjithë infrastrukturës zgjedhore përveç vetes së tij. Akumulimi i të gjithë prozhektorëve, shigjetave, sulmeve tek personi i tij. Jam dakord që do të jetë një referendum për Edi Ramën, jo një lojë listash.
Rama po zbeh kokat e listave, duke i fshehur politikanët në fundin e listave edhe për ta bërë më personale garën me Lulzim Bashën. Ai e di që në të gjitha përballjet, Rama është më i xhetonuar se Lulzim Basha. Rama mendohet me gjithë të këqijat dhe anatemimet që mund të grumbulluar në karrierën e gjatë, në fund të ditës kur pyetet se kush votohet ai apo Basha, del besoj rregullisht në të gjitha sondazhet Edi Rama.
Nuk kam asnjë lloj marrëdhënie speciale me Ditmir Bushatin, por do ishte dikush që për hir të diversitetit, për hir të një mendimi ndryshe në parti që është normale ta ketë një parti moderne e 2021, Ditmir Bushati duhet të ishte në listë.
Fenomeni i personalizimit të PS sipas imazhit të Ramës është më i hershëm se sa kjo fushatë. Lulzim Basha nuk e ka zgjidhur dhe me sa duket deri në dalje të karrierës së tij, pra deri sa të ketë shëndet Sali Berisha nuk do ta zgjidhë dualizmin mes tij dhe ish-kryetarit. Edi Rama këtë dualizëm e ka zgjidhur që në 2005, Nano nuk është më. Mendoj që kjo lojë me listat, vënia e disa grave të mira, të paqortueshme dhe do të thosha unë si për shembull në Tiranë, realisht goditëse me ato dy emra, që janë një surprizë e bukur, është një tendencë e kryeministrit për ta bërë 25 prillin një segment gare ku ai do të garojë vetëm me Lulzim Bashën dhe të tjerët do të jenë në funksion të kësaj loje. Në fund fare ai do të dalë Luli fle, ne punojmë”, tha Minxhozi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb