Analisti Arjan Vasjari hodhi dyshime me marrëveshjen mes palëve politike për reformën zgjedhore, duke e cilësuar atë një marrëveshje anormale, mes njerëzish anormalë.

Duke folur në emisionin “Real Story”, në News24, Vasjari theksoi se një marrëveshje e bën të moralshme dakordësia në principe dhe arsye, jo në konkluzione, siç ka ndodhur me palët politike.

“Nuk e di nëse është e vërtetë, por krijohet një perceptim sikur ka një çtensionim në atmosferën politike, madje ka një lloj gëzimi. Palët u ulën, bënë një reformë zgjedhore. Opozita u ul në tryezë, presidenti u takua me kryeministrin me bërryla. Regjistrimi vokal i Kryemadhit sot normal. Në fakt këto do të ishin të gjitha të vërteta, nëse ne do të pranonim që këtu jemi duke folur për një situatë normale. Ka një gëzim, por është një gëzim e çtensionim mes njerëzish anormalë. Unë kam dyshimet e mia të forta. Kam dyshime për reformën, se në vështrimin tim nuk është një marrëveshje e moralshme, sepse një marrëveshje e bën të moralshme dakordësia në principe dhe arsye, jo në konkluzione. Arsyet për marrëveshjen janë krejt të ndryshme. Ka një qasje krejt indiferente ndaj asaj që kanë bërë këta.

Ne i kemi pasur të gjitha instrumentet ligjorë, në stadarde të pranueshme, që askush nuk mund të thoshte se nuk mund të bëhet një reformë. Kanë ndodhur gjëra periferike. Është një marrëveshje mes dy palësh, që përveçse anormalë, kanë një përgjegjësi të madhe për këtë që ndodh sot në Shqipëri. Në 30 vjet ne nuk kemi arritur ta legjitimojmë demokracinë si koncept. Kjo klasë politike në sytë e publikut është totalisht e imoralizuar. Ka katër elementë që imaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin zgjedhor: reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, parlamentarizmi, realitetet lokale, që opozita i braktisi të gjitha. Opozita nuk shkoi në zgjedhjet lokale. Kjo reformë zgjedhore mirë që u bë, dëm nuk bën, por tani problemi është se opozita duhet t’i zgjojë dëshirën për të votuar popullit. Ju nuk mbani përgjegjësi për ato që keni bërë, ky është në shqetësim i madh”, u shpreh Vasjari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb