Analisti Arjan Vasjari e ka cilësuar një gënjeshtër të madhe dhe një premtim të pambajtur nga ana e qeverisë ‘Rama’ për votën e emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në “News24”, Vasjari tha se me nenin 24 është shkelur kushtetuta ku përcaktohet se e drejta e votës i jepet shtetasve shqiptare me vendbanim të përhershëm jashtë. Sipas Vasjarit, emigrantët shqiptarë nuk do të arrijnë që të votojnë në 25 prill, madje as edhe në zgjedhjet e 2025.

“Në bindjen time Majko është i vetmi që ka një pozicion të qartë lidhur me votën e emigranteve. Kam parë vetëm alibi, me koperturë ligjore. PS ka pasur një debat në zgjedhjet e 2013-ës, mes kandidatëve për kryeministër, Rama dhe Berishës për votën e emigrantëve. Zoti Rama i thoshte Berishës; “Vota e emigrantëve është ujë në havale. Kur të vijmë ne do e realizojmë”. Në zgjedhjet e 2017-ës e kanë pasur në premtimet e tyre se brenda mandatit do e bënin realitet. U bënë ndryshime në kodin zgjedhor. Zoti Majko iu referua nenit 24, që është shkelje e pastër kushtetuese. Unë them se si e ka votuar zoti Majko këtë! Neni thotë se; votues janë ata emigrantë ata që e kanë vendbanimin e përhershëm jashtë shtetit. Ndërkohë që kushtetuta e Shqipërisë mbron integritetin e shqiptarëve që kanë vendbanim të përhershëm apo të përkohshëm jashtë. Edhe në këto zgjedhje do të kemi një shkelje të Kushtetutës. Nuk kanë për të votuar emigrantët në 245 prill. Të themi ça të duam ne. Ka pasur komunikim Rama me bordin e Diasporës, ka qenë dhe zoti Majko atje. Aty ka thënë nëse; “Do të ndjekim sistemin amerikan, ku emigrantët do të votojnë përmes postës”. Në një dalje më vonë tha; E pretendojmë këtë gjë, por kjo gjë ka vështirësi objektive. Pak kohë më parë del zoti Pëllumbi dhe thotë; “Jeni keqkuptuar, se kemi thënë që vota e emigrantëve do të jetë për 25 prillin, por për 2025-in”. Është një mungesë e qartë e vullnetit politik për t’ju involvuar qytetarëve. Ne çfarë do të themi sot dhe nesër e pasnesër?! Është e pamundur që të mund t’ju garantojmë emigrantëve shqiptarë që të votojnë në 25 prill. Unë kam thënë; nuk keni për ta bërë dot. Dhe në fakt nuk do të behët. Ju keni pasur një objektiv të qartë (I drejtohet Majkos). Edhe ata jashtë kanë të drejtë që të votojnë. Jemi në një gënjeshtër të madhe, premtim të pambajtur dhe iu duhet thënë emigrantëve shqiptarë që të jenë të përgatitur që në 25 prill dhe në 2025-ën, Shqipëria nuk dihet nëse do të arrijë standardet e Kosovës. Janë aq shumë vota, sa në Shqipëri mund të përcaktonin realitet politik, që është mohuar.”, tha Vasjari.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb