Vijon debati në emisionin “Real Story”, në News24, për përfshirjen në fushatën elektorale të partive politike të njerëzve të inkriminuar. Analisti Arjan Vasjari tha se Partia Socialiste ka involvuar njerëz me të shkuar kriminale në Vlorë dhe dy qytete të tjera.
Nga ana tjetër, deputeti socialist, Ulsi Manja, tha se është dakord me Vasjarin për shqetësimin e përfshirjes së të inkriminuarve në fushatë elektorale, por sipas tij, nuk mund t’i largojë këta individë kryetari i partisë, por institucionet përkatëse.

Vasjari: Është një fenomen që ka brenda edhe blerjen e votës, edhe paratë e pista. Është një proces që rrezikohet nga kriminalizimi. Them që PS ka involvuar individë të identifikuar qartë jo vetëm në Vlorë, të cilët kanë pasur probleme të qarta me dekriminalizimin dhe janë pjesë e shtabeve elektorale. Pra, janë ata që do të merren me votat, me gjetjen e parave, me listat e votuesve. Zgjedhjet janë një proces shumë kompleks. Para se të shkojmë te kandidatët ka elementë shumë seriozë të tjerë. Këta janë individë, që procesi i dekriminalizimit i ka nxjerrë jashtë nga Parlamenti dhe sot janë shtabe elektorale, në mos në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë indirekte. Janë jo vetëm Vlora, po edhe dy qytete të tjera, ku këta individë as nuk maskohen fare. Nuk mund të pranoj dot që ne të shkojmë më 26 prill dhe të riciklojmë të njëjtin shqetësim që kemi që nga viti 2015, kur krijuam bindjen se bëmë një ligj shumë të ashpër. Me atë ligj, që nuk ka një të dytë, sot ambasadorja Yuri Kim nuk kishte pse të dilte e të fliste. Nuk ja drejtoj kurrë gishtin një partie politike, me qëllime. Nëse do të ishte kushdo sot këtu, do ja drejtoja.

Manja: Kandidatët do të jenë fytyra e partisë politike në territor. Absolutisht nëse z. Vasjari ngre një shqetësim për përfshirjen e personave të inkriminuar në fushatë, ndaj të njëjtin shqetësim me të. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon apo më gjerë, elemente të tillë tentojnë të kacavirren, sa herë ka fushata. Këtu vijmë në një vijë tjetër ligjzbatuese. Partitë kanë mundësi t’i largojnë ato, aq sa kanë mundësi, por persona të tillë që tentojnë të prishin procesin, shteti ka garantuar institucione përkatëse. Unë e them me bindje se nëse ka një parti politike të interesuar për të pasur një proces me integritet të plotë më 25 prill është PS. Në aspektin ligjor kemi dhënë gjithçka kemi mundur, që në aspektin ligjor procesi të jetë me integritet të plotë. Tani jemi në fazën e terrenit, në një fazë kritike të fushatës elektorale. Ne jemi të interesuar të kemi një proces zgjedhor të cilësisë së lartë. Mos harroni se këto elementë të botës së krimit, janë atje matanë te gardhi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb