TIRANË

Shqipëria sot është në një moment delikat dhe jo vetëm për shkak të koronavorusit. Kështu mendon analisti Arian Vasjar, i cili duke komentuar raportin e “Reporterëve pa Kufij” në “Real Story” në News24 thotë se duhet një qasje e kujdesshme ndaj mediave.

“Ti (Pezës) përpiqesh ta ndërtosh analizën në epruvetë. Nuk ndërtohet kështu. Këtu jemi diskutuar për faktin që Shqipëria në indeksin botëror të lirisë së medias ka rënë.

Në qoftë se ti më thua të marrim në analizë se si është sjellë për pandeminë qeveria, është çështje tjetër. Ta ndërtojmë analizën për lirinë e medias. Shqipëria sot është në një moment delikat dhe jo vetëm për shkak të koronavorusit. Ky është një element që na zuri. Shqipëria ishte në një situatë problematike dhe përpara, kishte probleme me arkitekturën. I mungonte Gjykata Kushtetuese.

Meqenëse jemi këtu për lirinë e medias, tek një përpjekje për ta monopolizuar informacionin, meqenëse jemi në këtë rrethana duhet të kemi një qasje të kujdesshme. Në qoftë se thua që nuk ka një përpjekje të kryeministrit për të dominuar skemën e medias këtu nuk je i sinqertë. Nuk i dhimbset vetëm zotit Rama Shqipëria por dhe të tjerëve. Ai ka përgjegjësinë. Në qoftë se rrëzojmë lirinë e informacionit që Strasburgu e ka me të kuqe kemi vënë në pikëpyetje lirinë e medias”, u shpreh Vasjari.

Shqipëria humbet 2 pozicione në renditjen e indeksit të Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit të vitit 2020. Nga vendi i 82-t që pozicionohet vitin e kaluar, këtë vit Shqipëria e gjen veten në vendin e 84-t mes Haitit dhe Sierra Leones.

Po ashtu vendet e rajonit si Kosova, Greqia, Sllovenia, Rumania, Kroacia, janë para Shqipërisë por lihen pas Serbia dhe Mali i Zi. Shqipëria momentalisht gjendet në zonën portokalli ose zonën e 3-të nga 5 sa i përket lirisë së shtypit. 5 vendet e para sa i përket lirisë së shtypit i mbajnë 5 vende europiane si Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Suedia dhe Holanda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb