TIRANË

Analisti Arjan Vasjari komentoi në “Real Story” në News24 zhvillimet dhe vendimet e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe qëndrimin e partive politike ndaj KQZ-së së re dhe kreut të saj Ilirjan Celibashi.

Vasjari u shpreh se e sheh si një premisë pozitive kompromisin duke theksuar se sot për sot KQZ-ja është i vetmi ishull normal. Sipas tij, partitë politike kanë shfaqur besim të qartë tek KQZ-ja.

“Në këtë rast e shikoj kompromisin si një premisë realisht pozitive, ndryshe nga raste të tjera kur palët kanë tejkaluar shumë herë kushtetutën. E shikoj si premisë pozitive këtë herë.
KQZ-ja gjykohet pas zgjedhjeve. Megjithatë mund të them pa frikë që në këtë Babiloni institucionale, sot për sot KQZ-ja është i vetmi ishull normal. Reflektohet kjo. Partitë politike në raportet me komisionerin, me KAS-in kanë qenë pothuajse inekzistente. Kanë pasur një reagim shumë ‘soft’. Në tërësi partitë politike deri në këtë fazë kanë shfaqur një besim të qartë ndaj KQZ-së. Një element që shkon në favor të kësaj që thoni, ka qenë qëndrimi i komisionerit në lidhje me votën e emigrantëve. Ka qenë i qartë në pozicionin e tij, ka thënë se ne do të mendojmë për ta aplikuar votën e emigrantëve nëse partitë kryesore politike shfaqin konsensus. Kjo në terma politikë është pozitive. Z. Celibashi në korrektesë të asaj, po përpiqet ta ruajë këtë frymë konsensusi, ta shtrijë, por nga ana tjetër Kushtetuta po lëngon. Kushtetuta ka që në ’98 që në raport me këtë po lëngon. Janë 4-5 dispozita të Kushtetutës që shkelen, shkelen. Nga ’98 e këtej. Jam shumë dakord që në një situatë kaq të tensionuar, me një ferment politik të paparashikueshëm kjo si frymë është mirë të ruhet, fryma e konsensusit, për një çështje dhe kaq sensitive si vota e emigrantëve”, deklaroi Vasjari.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb