NGA RUDINA HOXHA

Ish-futbollisti i njohur shqiptar, Rudi Vata, sot mban postin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Skoci. Në vitin 1996 ai u largua nga Skocia, ku luajti futboll që prej vitit 1992, për t’u kthyer në 2004-ën. Nga ky vit e në vazhdim, vazhdon të jetojë atje. Ai ndihet shumë mirë në këtë vend që ka respekt për të huajt dhe nuk ushqen ndjenjën e racizmit. “Dhe kjo të bën të ndihesh mirë”, thotë ai në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”. Ai tregon për ambicien e re që ka: si të sjellë investitorë skocezë në Shqipëri, ndonëse shumë varet nga vetë Shqipëria.

“Nëse Shqipëria do të fillojë të ngrejë themelet e një vendi të besueshëm, një proces që mendoj se ka filluar dhe shpresojmë t’ia ndjejmë frytet më vonë, sigurisht që investitorët britanikë dhe ata skocezë do t’i afrohen Shqipërisë”, thotë Vata në këtë intervistë. Ai mendon se kjo do të ndihmohet edhe nga ngjashmëria që kanë të dyja vendet. “Duhet me thënë se skocezët kanë shumë ngjashmëri me Veriun e Shqipërisë. Pra, ata janë malësorët e Britanisë së Madhe. Ata janë shumë mikpritës dhe kanë fustanellën e tyre tradicionale. Kam pasur dhe vazhdoj të kem marrëdhënie shumë korrekte dhe dashamirësi me skocezët, jam adoptuar lehtë dhe pranuar në shoqërinë e tyre”, – thotë Vata, i cili me zemër nuk ka hequr dorë nga sporti. Ai bën thirrje se shpejt Kosova do të bëhet anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, dhe kjo mund të sjellë largimin e disa nga sportistëve kosovarë që luajnë për Kombëtaren shqiptare dhe përfaqësimin e tyre për Kosovën.

Me se po merret Rudi Vata tani?
Unë jam Konsull Nderi i Shqipërisë në Skoci. Sigurisht që ky pozicion është privilegj dhe përgjegjësi në radhë të parë. Gjithsesi ndihem mirë, sepse në Skoci kam një emër shumë të mirë dhe korrekt dhe kam marrëdhënie shumë të mira me popullin skocez. Kam fituar respektin e atij populli fisnik me sjellje, me punë dhe me sakrifica. E kam pranuar këtë punë me kënaqësi. Po punoj fort për të ndërtuar një imazh të Shqipërisë në Skoci, sepse, për hir të së vërtetës, vendi ynë nuk është fort i njohur në Skoci. Bile edhe në një nga bisedat që kam bërë me ambasadorin shqiptar në Londër, z.Mal Berisha, i cili kishte qenë në Lojërat Olimpike të Komonuelthit dy vite më parë, më thoshte se kur prezantoheshin te skocezët, ata iu thoshin se çfarë ata njihnin prej Shqipërisë ishte Rudi Vata. Gjithsesi, imazhi është i mirë. Por tani duhet përgatitur një plan për të sjellë investitorë skocezë që mund të kenë interes ndaj Shqipërisë, dhe, pse jo, për të ndërtuar marrëdhënie diplomatike.

Si arritët të krijonit një emër të mirë në Skoci?
Në Skoci, unë kam luajtur me klubin më të rëndësishëm të futbollit skocez në vitin 1992, kur të gjithë e dimë se sa e vështirë ka qenë jeta në Shqipëri në ato fillime të viteve ‘90. Unë jam transferuar te klubi, ndoshta i pari klub britanik që ka fituar kupën e (Celtic). Ishte një klub i famshëm, me traditë që sigurisht ka bërë emër. Në atë kohë, ishte një arritje shumë e madhe për një shqiptar të luante për një skuadër që kishte fituar kampionatin. Kam kaluar 4 sezone shumë të rëndësishme dhe të mira në një vend shumë mikpritës. Duhet thënë se skocezët kanë shumë ngjashmëri me Veriun e Shqipërisë. Pra, ata janë malësorët e Britanisë së Madhe. Ata janë shumë mikpritës dhe kanë fustanellën e tyre tradicionale. Kam pasur dhe vazhdoj të kem marrëdhënie shumë korrekte dhe dashamirësi me skocezët, jam adoptuar lehtë dhe pranuar në shoqërinë e tyre. Në 1996-ën jam larguar nga Skocia, për t’u kthyer në 2004-ën. Nga ky vit e në vazhdim, vazhdoj të jetoj atje.

A kanë shfaqur skocezët interes për të investuar në ndonjë projekt në Shqipëri?
Sigurisht që ka për të pasur interes. Në përgjithësi, britanikët janë një komb shumë serioz dhe nuk preferojnë të ndërmarrin rrezik. Nëse Shqipëria do të fillojë të ngrejë themelet e një vendi të besueshëm, një proces që mendoj se ka filluar dhe shpresojmë t’ia ndjejmë frytet më vonë, sigurisht që investitorët britanikë dhe ata skocezë do t’i afrohen Shqipërisë. Jam i sigurt që do të afrohen në Shqipëri. Dhe për momentin mund të them se ka pak ose aspak investime britanike, dhe sikur ato të afrohen në Shqipëri, kjo e fundit do të ketë mundësi të mira me ndërmarrë hapa të mëdhenj drejt integrimit europian.

Çfarë ju bën më shumë përshtypje në Skoci?
Tradicionalisht Skocia dallohet për burra të vërtetë. Po të shikosh historinë e Skocisë, normalisht këta burra kanë vlerat dhe virtytet e malësorit, që i kanë treguar në të gjitha luftërat që kanë kryer, qoftë edhe kundër Anglisë. Skocezët janë mikpritës të jashtëzakonshëm. Unë që kam jetuar në Glasgou; mund të them se është populli më mikpritës, në bazë edhe të eksperiencës sime në Europë e në botë. Është populli që i respekton të huajt maksi-malisht, nuk ka ndjenjën e racizmit, dhe kjo të bën të ndihesh mirë. Gjithashtu ky vend dallohet për ditët pa fund plot shi, 300 ditë në vit janë me shi në Skoci, për pub-et tradicionale të birrës e për fushat e golfit. Për ata që s’e dinë, skocezët kanë shpikur telefonin dhe TV-në. Jo në Angli, por në Skoci, ka lindur edhe futbolli. Aty ka lindur edhe golfi. Me një fjalë, aty ka tradita, zakone e virtyte të mira.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj me marrjen e këtij posti?
Shumë gjëra ndryshojnë në jetë. Mua më pëlqen me qenë gjithmonë në punë, i mirorganizuar, me pas plane dhe me i realizuar ato. Diplomacia për mua është diçka e re, një eksperiencë që unë e kam marrë me shumë dëshirë. Por për ta realizuar atë me sukses ke nevojë të kesh mbështetjen e institucioneve të vendit tënd, ke nevojë për energji dhe për financa, të cilat pak a shumë do të përballohen nga mundësitë e mia.

A e vazhdoni lidhjen me sportin?
Sporti është i pashmangshëm. Futbolli është jeta ime, është dashuria më e madhe e jetës sime. Falë futbollit, punës së madhe dhe sakrificave si dhe ndihmës së Zotit, sot jam këtu ku jam. Çdo gjë unë ia dedikoj futbollit, që është në gjakun tim, në venat e mia. Gjithmonë unë do të jetoj me futbollin dhe do t’i shërbej futbollit. Gjithnjë për të mirën e këtij sporti, duke ruajtur imazhin e mirë të tij dhe duke e promovuar atë sa më shumë që të jetë e mundur, sepse është një sport i bukur, shumë popullor, që mund të ndihmojë shumë njerëz ashtu si më ka ndihmuar mua në jetë si me u rritë, si nga ana profesionale, por edhe nga ana njerëzore dhe intelektuale. Do vazhdoj të punoj, të jem pjesë e futbollit. Të shohim! Në të ardhmen, mund të kem mundësi ndoshta t’i shërbej edhe futbollit në Shqipëri. Kur të shikoj se ka njerëz që janë vërtet seriozë dhe që kanë programe dhe plane të vlefshme, atëherë do të jem i gatshëm t’i shërbej futbollit në Shqipëri.

Si i shikoni zhvillimet në sportin shqiptar nga një distancë pak më e largët tashmë?

Po të shikosh futbollin kombëtar, d.m.th., kampionatin kombëtar me produktin e saj, mendoj se pas viteve ‘90, si çdo sport tjetër, edhe futbolli ka pasur një rënie të jashtëzakonshme. Mënyra e të punuarit nuk ka qenë në ato nivele siç ka qenë para viteve ‘90. Po të shikosh produktin dhe ekipin kombëtar A, Shqipëria, fatmirësisht ka lojtarë të Kombëtares, djem me origjinë nga Kosova, shqiptarë të Kosovës, dhe me këta djem që kanë kontribuar e kanë vlera të jashtëzakonshme, Shqipëria ka mbërritur në këto nivele që është sot. Por po të shikosh produktin e kampionatit kombëtar, në të shkuarën, ka qenë shumë më i mirë.

Ndërsa sot kampionati shqiptar pothuajse nuk prodhon futbollistë që janë të denjë për ekipin kombëtar. Kjo duhet analizuar thellë, duhet parë me shumë kujdes dhe duhen marrë masa të jashtëzakonshme, për vetë faktin se Kosova shpejt do të jetë anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, dhe shumë nga këta djem, shqiptarë të Kosovës që kanë luajtur deri në këto momente me Kombëtaren e Shqipërisë, ndoshta mund të ndryshojnë mendje dhe mund të shkojnë të përfaqësojnë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës. Dhe nëse kjo do të ndodhë, ne do të kemi një Kombëtare shumë të dobët. Prandaj them se duhet të merren masa jashtëzakonisht të mëdha, që në këto momente, në mënyrë që niveli i kampionatit kombëtar të përmirësohet dhe mënyra se si punohet nëpër klube të jetë sa më profesionale, me qëllim që ata të rinj që lindin të talentuar të marrin formimin e duhur profesional që në hapat e parë. Uroj që Federata të ketë një projekt për këtë gjë, që të parandalohet ajo që mund të jetë një katastrofë për futbollin shqiptar.

Çfarë mendon për Shqipërinë? A të merr malli?
Shqipërinë e dua shumë. E kam përfaqësuar me ekipet shqiptare që te grupmoshat e vogla. Më merr malli shumë. Pothuajse një herë në 5-6 javë, unë jam në Shqipëri. Më merr malli për Shkodrën, për ajrin e Shkodrës, për rrugicën ku jam lindur e rritur, për miqtë, shokët, por Shqipëria ka shumë punë për të bërë. Njerëzit, sigurisht kanë shumë halle. Por është një vend në tranzicion. Por ky popull meriton të udhëhiqet mirë, të drejtohet mirë, të edukohet më mirë. Edukimi është shumë i rëndësishëm, sidomos për brezin e ri. Për të pasur një perspektivë të mirë, duhet të kesh një edukatë shumë të mirë. Uroj që, të gjithë ata njerëz që janë në poste me përgjegjësi, që paguhen për të realizuar gjëra të mira për vendin, t’i bëjnë ato sa të kenë mundësi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: