VATIKAN- Prelati spanjoll, Angel Vallejo Balda u arrestua sot për shpërndarje të informacioneve sekrete, në kuadër të një hetimi të Vatikanit të nisur disa muaj më parë, njoftoi Vatikani në një komunikatë.

Vallejo Balda, anëtar i ”Opus Dei” dhe sekretar i ish-Komisionit për Organizimin e Strukturave Ekonomike dhe Administrative të Selisë së Shenjtë (COSEA), u thirr nga xhandarmëria e Vatikanit gjatë fundjavës në të njëjtën kohë me Francesca Chaouqui, gjithashtu anëtare e COSEA-s.

Chaouqui u lirua menjëherë për shkak të bashkëpunimit me hetuesit. Sipas shtypit italian, një grabitje e të dhënave u krye në komjuterin e inspektorit të përgjithshëm të financave të Vatikanit, italianit Libero Milone, në zyrën e tij që ndodhet jo shumë larg sheshit Shën Pjetër.

Libero Milone, emëruar nga papa Françesku më 5 qershor për reformën e financave, është ngarkuar për auditin e llogarive të të gjithë administratës së shtetit të vogël. Dy informacione të publikuara së fundmi që premtojnë zbulime të çështjeve financiare të Selisë së Shenjtë, mbajnë firmën e gazetarëve Emiliano Fittipaldi i “Espresso”-s dhe Gianluigi Nuzzi i “Mediaset”.

Ky zbulim të dhënash bëri jehonë pas rrjedhjes së dokumenteve, të quajtura “Vatileaks”, që shënuan fundit e papatit të Benediktit XVI në vitin 2012. Këto rrjedhje informacioni ishin mbledhur dhe publikuar nga gazetari Gianluigi Nuzzi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: