“Murgesha që trajtohen sipas nevojës nga kardinalët dhe peshkopët”. Ankesa vjen nga e përmuajshmja “Gra, kishë, botë” nga Observatori Roman. Hetimi nxjerr në pah një pjesë të jetës së personelit kishtar, ku shfaqen pabarazia, ndjenja poshtërimi dhe pakënaqësie. Artikulli titullohet “Puna (pothuajse) falas e murgeshave” dhe bën të flasin në anonimitet, murgesha “të frustruara” nga jeta që bëjnë, shkruan Tgcom24.

Ndërsa Papa Françesku thotë se është “i shqetësuar për ekzistencën e një mentaliteti mashkullor”, suplementi i gazetës së Vatikanit shkruan se në shtëpitë e priftërinjve, murgesha të shumta “kryejnë një shërbim shumë pak të njohur”.

“Motër Maria (emrat e murgeshave janë imagjinare) erdhi në Romë nga Afrika e zezë rreth njëzet vjet më parë, dhe që atëherë ajo pret murgesha nga e gjithë bota dhe prej disa kohësh ka vendosur të dëshmojë atë që sheh dhe çfarë dëgjon nën petkun e konfidencialitetit”, thotë hetimi i hollësishëm.
“Pres shpesh murgesha që punojnë në shërbime pak të njohura- thotë motër Maria. – Disa prej tyre shërbejnë në shtëpitë e peshkopëve ose kardinalëve, të tjera punojnë në kuzhinë në strukturat e Kishës ose kryejnë detyra katekizmi dhe mësimore.
Disa prej tyre, të punësuara në shërbim të klerikëve, ngrihen herët për të përgatitur mëngjesin dhe shkojnë për të fjetur pasi të jetë shërbyer darka, shtëpia të jetë rregulluar, rrobat të jenë larë dhe hekurosur. Në këtë lloj ‘shërbimi’ motrat nuk kanë një orar të saktë dhe të rregulluar, si laikët, dhe vlerësimi i tyre është i rastësishëm, shpesh shumë modest”.

Por ajo që e trishton më shumë Motër Marian është se ato murgesha janë ftuar rrallë për t’u ulur në tryezat që shërbejnë. “A mendon një klerik që të ketë një vakt të shërbyer nga murgesha e tij dhe pastaj ta lërë të hajë vetëm në kuzhinë sapo të jetë shërbyer? A është normale që një person i bekuar të shërbehet në këtë mënyrë nga një tjetër i bekuar?
Dhe duke e ditur se personat e destinuar për punë shtëpiake janë pothuajse gjithmonë gra, murgesha? A nuk është shenjtërimi ynë i njëjtë me atë të tyre?”.
Dikush madje i ka quajtur “murgeshat pica”, referuar punës që bëjnë.

Motra Marie vazhdon: “E gjithë kjo provokon një rebelim shumë të fortë të brendshëm në disa prej tyre, ato janë thellësisht të frustruara, por kanë frikë të flasin, sepse pas gjithë kësaj mund të ketë histori shumë komplekse.
Në rastin e murgeshave të huaja nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine, ka ndonjëherë një nënë të sëmurë, kura i të cilës është paguar nga kongregacioni i vajzës së saj fetare, një vëlla i cili ka qenë në gjendje të kryejë studimet e saj në Evropë falë motrës së madhe.

Nëse njëra prej këtyre murgeshave kthehet në vendin e saj, “familja e saj nuk e kupton”, i thotë “po sa kapriçoze je!” Këto motra ndjehen të detyruara, të lidhura dhe pastaj heshtin.
Ndër të tjera, ato shpesh vijnë nga familje shumë të varfra, ku vetë prindërit ishin shërbyes. Disa thonë se janë të lumtura, ato nuk e shohin problemin, por ndiejnë sidoqoftë një tension të fortë të brendshëm”.

“Disa murgesha arrijnë të marrin ilaçe kundër ankthit për të duruar këtë situatë frustruese”. Është e vështirë të vlerësohet shtrirja e problemit të punës falas ose pak të paguar dhe megjithatë pak të njohur të murgeshave. Para së gjithash është e nevojshme të përcaktohet se çfarë nënkuptohet me këtë.
“Kjo shpesh nënkupton që motrat nuk kanë një kontratë ose marrëveshje me peshkopët ose famullitë me të cilat punojnë”, shpjegon motra Paule, një murgeshë me pozita të rëndësishme në Kishë.
“Kështu që ato paguhen pak ose aspak. Kjo ndodh në shkolla ose në klinika, dhe më shpesh në punë baritore ose kur merret me gatimin dhe punët e shtëpisë në një peshkopatë ose në një famulli. Është një padrejtësi që ndodh edhe në Itali, jo vetëm në vende të largëta”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb