Gazeta e Vatikanit ka kritikuar revistën satirike franceze “Charlie Hebdo” për paraqitjen e Zotit si vrasës me Kalashnikov, duke thënë se është “trishtuese” dhe e pasjellshme për besimtarët e të gjitha feve.

Ballina u paraqit në edicionin që përkujton përvjetorin e sulmit të para një viti kur militantët islamikë vranë 12 persona gjatë një sulmi në zyrat e “Charlie Hebdo” në Paris.
Karikatura në ballinë paraqet një Zot të zemëruar me gjak në duar dhe një pushkë në lidhur në pjesën e prapme të tij.

“Një vit më pas, vrasësi është ende në arrati”, shkruan kryeartikulli.
E përditshmja e Vatikanit, “L’Osservatore Romano”, ka akuzuar “Charlie Hebdo” se po provon të “manipulojë” fenë.

“Prapa një flamuri mashtrues të sekularizmit të pakompromis, javorja franceze edhe njëherë ka harruar se liderët fetarë të të gjitha besimeve kanë kërkuar për vite të tëra – që të përjashtojnë dhunën në emër të fesë dhe se përdorimi i Zotit për të arsyetuar urrejtjen është blasfemi e vërtetë”, shkruan në komentin e shkurtër, raporton Reuters.

“Veprimi i “Charlie Hebdo” shfaq paradoksin e trishtuar të një bote e cila vazhdimisht e më shumë po bëhet më e ndjeshme për të qenë politikisht korrekte deri në një pikë sa që po bëhet qesharake… por nuk dëshiron të njohë apo respektojë besimin e besimtarëve në Zot, pavarësisht religjionit të tyre”.
“Charlie Hebdo”, e njohur për ballinat e saja satirike që bën satirë me liderët politikë e fetarë, humbi shumë prej redaktorëve kryesorë kur militantët islamikë hynë në një takim të stafit redaktues më 7 janar, 2015, dhe shtien me armë zjarri.

Pas atij sulmi, Papa Françesku nuk u pajtua me qëndrimin anti-religjion të Charlie Hebdo-s.
“Nuk mund të provokoni, nuk mund të fyeni besimin e të tjerëve, nuk mund të bëni shaka me besimin”, ka thënë ai para gazetarëve gjatë një turneu aziatik. Më pas, Vatikani kishte lëshuar një deklaratë që thoshte se komentet e Papës nuk kanë pasur për qëllim arsyetimin e sulmeve.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb