Takimi i nivelit të lartë në Vatikan vazhdoi sot për të dytën ditë, i shoqëruar me thirrje për mbajtjen përgjegjës të priftërinjve që abuzojnë fëmijë. Kardinali Oswald Gracias tha në fjalën para peshkopëve se klerikët që abuzojnë seksualisht fëmijët duhet të raportohen tek autoritetet si brenda kishës, ashtu edhe tek ato shtetërore:

Kisha Katolike duhet të riparojë dështimet brenda sistemit të saj operues që kanë lënë hapsirë për abuzime seksuale në të gjithë botën, u shprehën në fjalën e tyre Kardinali nga Çikago, Blase Cupich dhe Kardinali nga Mumbai, Oswald Gracias. Ata thanë se përgjegjësia bie mbi peshkopët që të mbikqyrin dhe raportojnë sjellje e akte problematike që shohin tek priftërinjtë.

“Viti i fundit na ka treguar se dështimet e sistemit të kishës për të mbajtur përgjegjës priftërinj të të gjitha rangjeve janë në pjesën më të madhe rrjedhojë e problemeve në komunikimet mes nesh,” tha Kardinali Kupich.

Gjatë 2018 dolën në pah shembuj të ndryshëm abuzimi, që nga skandali në Kili lidhur me abuzimet seksuale që detyroi të 34 peshkopët të ofronin dorëheqjen; historiku i fshehtë i abuzimeve në Irlandë, një ndër vendet ku kisha ka mbështetjen më të fortë; dhe publikimi i raportit të një jurie në Pensilvani për abuzimin e mbi 1000 vetëve nga priftërinjtë. Të gjitha këto e bënë këtë vit më problematikun për Papën në pesë vjetët që drejton kishën katolike.

Abuzimet kanë njollosur jo vetëm priftërinj të thjeshtë, por javën e kaluar rezultuan në flakjen nga radhët e kishës të Theodore McCarrick, ish- peshkop i fuqishëm në Uashington, i cili u shpall fajtor pas një procesi të brendshëm të kishës lidhur me akuzat se peshkopi kishte abuzuar seksualisht fëmijë e të rritur.

Gjatë ditës së parë të konferencës, pjesëmarrësit ndoqën video-klipe me dëshmi emocionuese të viktimave të abuzimeve.

Sot, disa kardinalë folën për përgjegjësinë e vetë klerit për të vënë në vend drejtësinë, jo vetëm përmes strukturave klerike, por përmes autoriteteve civile. Kardinali Oswald Gracias tha se priftërinjtë abuzues duhet të raportohen tek autoritetet e ligjit:
“Ata që janë fajtorë për akte penale duhet të përgjigjen para autoriteteve civile. Kisha nuk bën punën e shtetit, është e vërtetë, por ajo e njeh autoritetin e organeve të rendit. Prandaj kisha duhet të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet civile në këto çështje për të vënë në vend drejtësinë për viktimat dhe në emër të rendit në përgjithësi”.

Dje Papa Françesku theksoi përgjegjësinë e klerikëve për të luftuar këtë fenomen. Ai u shpërndau pjesëmarrësve një listë me 21 “pika reflektimi” ndër të cilat udhëzimi që çdo dioqezë të ketë një protokoll praktik mbi masat që duhen marrë kur ngrihen akuza për abuzime.

Konferenca përfundon të dielën kur papa pritet të mbajë një fjalim përmbyllës. Vatikani thotë se po harton një listë me masa në mënyrë që të gjithë peshkopët që kthehen pranë grigjës së tyre të dinë si të vënë në zbatim procedura për të luftuar abuzimet. Deri tani reagimet e viktimave kanë qenë të përziera. Disa kanë shprehur optimizëm, por të tjerë thonë se përgjigja e kishës është shumë e kufizuar dhe shumë e vonuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: