Kurora e gjelbër e qyteti shkrumbohet nga zjarri, flakët si “përbindësh” mbi ullishtën e Elbasanit (VIDEO)

Prej orëve të vona të pasdites së sotme vijon të digjet nga flakët kurora e gjelbër e qytetit të Elbasanit e njohur edhe si Ullishtja.

Siç denoncoi edhe më herët nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në zonën në fjalë janë shkrumbuar mijëra rrënjë ullinj dhe banorët kanë tentuar të shuajnë flakët me mjete rrethanore.

Boçi, njëherësh deputet i Elbasanit akuzon qeverinë se ka lënë banorët në mëshirë të fatit duke rrezikuar jetën e tyre.

“Ja si shuhen zjarret në ullishtën e Elbasanit “me mjete super moderne”, të importuara së fundmi nga Rama! Jo vetëm që s’merr asnjë masë, por dhe lë banorët të rrezikojnë jetët e tyre!”, shkruante ai përbri videos së banorëve.

Por duket se edhe pse kanë kaluar disa orë vatra e zjarrit mbetet ende aktive dhe në një video të shpërndarë po nga Boçi, flakët shfaqen si “përbindësh” në kodrën mbi Elbasan.

“E tmerrshme! Qindra, mos mijëra rrënjë ullinj, të kurorës së gjelbër të Elbasanit, një pasuri e tërë kombëtare, me vlera të shumëfishta, vazhdon të digjen pa mëshirë, megjithë alarmet e ngritura kudo. Asnjë ndërhyrje, asnjë masë. Zoti pastë mëshirë e sjelltë pak shi! Qeveria po zbaton moton: “Me zjarrin e qeverinë mos luaj””, shkruan Boçi në Facebook.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb