I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.

Pas takimit që zhvilloi të hënën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, Escobar tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta afrojë më shumë Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik. Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha Escobar.

Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, të hënën nisën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, vizitë që ka për qëllim inkurajimin e liderëve në të dy shtetet për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik që ju veçse jeni pjesë dhe ky dialog do të ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar i cili njëherësh është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.

Ndërkaq, Lajçak tha se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë “ngushtë” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për vizionin e së ardhmes.

“Jam i lumtur që kjo vizitë veçse ka ofruar një mundësi për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm me presidenten dhe kryeministrin dhe ne do të vazhdojmë diskutimet tona”, tha Lajçak.

Ai tha se vizita në Kosovë dhe Serbi do t’iu ndihmojë që të kenë një pasqyrë të qartë se “çfarë do të presim në të ardhmen dhe si do ta çojmë përpara këtë proces”.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i vendosur që sovraniteti dhe integriteti territorial të mos cenohet nga askush.

“Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm që t’iu përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me ç’rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, tha Kurti gjatë konferencës së përbashkët për media.

Kryeministri Kurti më herët ka avokuar idenë se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – komuna në jug të Serbisë – duhet të trajtohen njësojë sikurse komuniteti serb në Kosovë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb