Mijëra persona të cilët që nga 28 prilli zhvillojnë protesta masive kundër qeverisë në Kolumbi, organizuan tubime dhe marshime në qytete të rëndësishme të vendit.

Të mbledhur në shumë pika të qytetit kryesisht në sheshin historik Bolivar në kryeqytetin Bogota mijëra persona protestuan duke hedhur slogane kundër politikave të qeverisë së presidentit Ivan Duque.

Protestuesit e përbërë nga shumica studentë dhe grupe vendase që mbajtën protesta paqësore, brenda ditës mbyllën për trafikun rrugët me më shumë lëvizje të qytetit duke shkaktuar radhë të gjata të automjeteve.

Në protestat në Cali humb jetën një person

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur në qytetin Cali i cili është qyteti i tretë më i madh në vend ku janë përjetuar ngjarje të dhunshme që nga fillimi i protestave.

Për shkak të vazhdimit të akteve për mbylljen e rrugës në qytet ndodhin probleme serioze në sigurimin e produkteve themelore.

Zyra e komisionerit të lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut për Kolumbinë, në një postim nga Twitteri tha: “Po ndjekim nga afër ngjarjet në zona të ndryshme në Cali si dhe plagosjen e 2 personave lidhur me këtë”.

Numri i të vdekurve rritet në 27

Zyra e Ombudsmanit në Kolumbi njoftoi se nga 26 është rritur në 27 numri i personave që kanë humbur jetën në protestat kundër reformave të taksës që filluan me grevë të përgjithshme më 28 prill.

Po ashtu zyra ka informuar se në protestat që vazhdojnë prej 11 ditësh në mbarë vendin deri më tani janë kryer 936 arrestime dhe se policia ka ndërhyrë 1.771 herë ndaj protestuesve.

Lidhur me të dhënat e publikuara së fundmi për personat e zhdukur, Zyra tha se nga denoncimet e bëra për 145 persona të zhdukur janë gjetur 55 prej tyre ndërsa vazhdojnë kërkimet për 90 të tjerë.

Ndërkohë në mënyrë të pavarur nga Zyra e Ombudsmanit, sipas një deklarate nga organizatat joqeveritare lidhur me personat e zhdukur thuhet se që nga fillimi i protestave nuk ka lajm për 379 persona.

Protestat në rrugë vazhdojnë duke u rritur, pavarësisht se presidenti Duque pas rritjes së numrit të viktimave dhe të plagosurve për shkak të demonstratave shpalli më 2 maj tërheqje nga projektligji i reformës tatimore/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb