Forca të shumta të policisë së rendit, FNSH, Shqiponja dhe policisë bashkiake kanë zbarkuar mëngjesin e të enjtes në unazën e re në zonën e Astirit, ku ka nisur prishja e objekteve në lotin e dytë që preket nga zgjerimi i unazës. Mësohet se ka patur tensione mes policisë dhe banorëve po nuk raportohet për të lënduar apo dhunë fizike.

Gazetari Erjon Skëndaj raporton për “Balkanweb” se në terren ndodhen mbi 300 punonjës policie, 4 mjete të rënda tonazhi disa mjete zjarrëfikëse dhe autoambulanca.

Nga ora 6 e mëngjesit janë shembur me mjete të rënda 6 objekte, 1, 2, 3 katshe. Në listën e objekteve është edhe një ndërtesë 5 katëshe.

Banorët janë shprehur se nuk janë njoftuar në rrugë shkresore për vendimin e prishjes por vetëm verbalisht. Të tjerë thonë kanë fituar në shkallën e parë të gjyqësorit dhe IKMT nuk mund të vijë e tu prish shtëpitë pa një vendim të formës së prerë.

Ndërkohë policia ka bllokuar totalisht qarkullimin e automjeteve në lotin e dytë të unazës në Astir por jo qarkullimin e këmbësorve sic është vepruar në rastet analoge.

Bllokimi i unazës dhe devijimi i automjeteve në rrugët sekondare ka krijuar rradhë kilometrike dhe orë të gjata në trafik.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb