KOSOVË

Në orët e pasdites së sotme, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe dy zyrtarë policorë, njërin në Jarinje (pikë kalimin kufitar) dhe tjetrin në Mitrovicën jugore.

Siç njofton Inspektorati Policor i Kosovës, arrestimet e sotshme të zyrtarëve policorë të Policisë kufitare D.P dhe V.T, janë vazhdimësi e operacionit të emërtuar “Kontrabanda” që u zhvillua më 28 maj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në disa lokacione në veri të vendit dhe më gjerë.

“Operacionit “Kontrabanda”  i ka paraprirë një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale “Kontrabandë me mallra”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e ndaluar” etj.

Të arrestuarve me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb