Vala e të nxehtit gjatë verës së vitin 2021 përfshiu gjithë Evropën dhe kryesisht rajonin e Mesdheut. Shkencëtarët thonë se viti i kaluar ishte tejet i nxehtë.

Copernicus, programi i Bashkimit Evropian për monitorimin e klimës, ka publikuar një raport të ri ku tregon se viti i kaluar ishte ndër më të nxehtit në histori.

Vincent-Henri Peuch është Drejtor i Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës Copernicus.

“Sipas renditjes sonë, 2021 ishte një vit shumë i nxehtë. Mban vendin e pestë”, thotë ai.

Gjatë shtatë viteve të fundit, vetëm 2015 dhe 2018 ishin të freskëta. Në përgjithësi, shtatë vitet e fundit janë gjithshtu shtatë vitet më të nxheta që nga fillimi i mbajtjes së regjistrimeve.

Në shkallë globale, viti 2021 shënoi një temperaturë 0.3 gradë Celsius më të lartë se temperaturat mesatare midis viteve 1991 dhe 2020.

Ky vit shënoi gjithashtu një rritje 1.1 deri 1.2 gradë mbi nevelet e para zhvillimit industrial, 1850-1900. Disa pjesë të botës shënuan ndryshime ekstreme të klimës thotë zoti Peuch.

“Dallime u vëren në Shtetet e Bashkuara dhe Kanda, me anomali të mëdha nxehtësie. Po ashtu edhe në Afrikën Veriore, Lindjen e Mesme. Anomali të temperaturave të ftohta u shënuan në pjesën perëndimore të Siberisë”, thekson ai.

Ndryshimi i klimës nuk do të thotë vetëm rritje e temperaturave të larta por dhe ndryshime të motit ekstrem, si përmbytjet shkatërrimtare që ndodhën në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës gjatë verës së kaluar.

Nuk është për t’u habitur që shtatë vitet e fundit kanë shënuar rritjen e emetimeve të karbonit dhe për rrjedhojë edhe të temperaturave.

Shkencëtarët evropianë thonë se për vitin e dytë rradhaz, ritmi i rritjes së metanit në atmosferë ishte sa dyfishi i nivelit normal. Një rritje vjetore rekord, thotë zoti Peuch.

“Gjatë një viti, përqendrimi i metanit në atmosferë është sa dyfishi i asaj që pritej. Jemi të shqetësuar sepse nuk e dimë se çfarë po ndodh, pasi metani është një gaz i rendësishëm që shkakton efektin serë”, thotë Drejtori i Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës Copernicus.

Jetëgjatësia e metanit në ajër është rreth 12 vjet ndërsa dioksidi i karbonit zgjat disa shekuj. Çdo molekulë metani strehon dhjetëra herë më shumë nxehtësi se molekulat e dioksidit të karbonit. Në ajër ka rreth 200 herë më shumë dioksid karboni sesa metan.

Agjenci të ndryshme botërore që studiojnë motin, që nga Evropa, Amerika dhe Mbretëria e Bashkuara, pajtohen se temperaturat globale janë rritur gjatë shekullit të fundit.

Profesori Richard Betts drejton Hulumtimet për Ndikimet Klimatike në Zyrën Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar. Ai thotë se kërkimet tregojnë se pesë vitet e fundit kanë qënë më të nxehtat ndonjëherë. Ai thotë se fenomeni oqeanik dhe atmoferik i njohur si “La Nina” aktualisht po e ftoh planetin, por nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Aktualisht po kalojmë fazën ‘La Nina’ që është një fazë e ftohtë e ciklit ‘El Nino’ ndaj viti i kaluar nuk ishte më i nxheti i rregjistruar, edhe pse nivelet e karbonit ishtin më të lartat ndonjëherë. ‘La Nina’ e mbajti natyralisht të freskët vitin që kaloi, por kjo do të marrë fund. Është e rëndësishme të shikohen tendencat afatgjata dhe vitet e fundit kanë qënë më të ngrohta se më parë”, thotë profesori Richard Betts.

Zjarret në pyje, përmbytjet dhe vala e të nxehtit janë vetëm disa nga ngjarjet ekstreme të motit që mund të bëhen diçka e zakonshme ndërsa përshpejtohet ritmi i ndryshimeve klimatike. Ky ndryshim i klimës po ndikon tek jetët e njerëzve në mbarë botën pasi këto zhvillime po bëhen më të shpeshta dhe më intensive.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb