TIRANE

Pavarësisht se vendimtar për kandidatët e SPAK-ut është procesi i vettingut, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hyrë në fazën e fundit të vlerësimit profesional për secilin pretendent. Pesë nga njerëzit që e kanë konsideruar të denjë veten për të qenë pjesë e strukturës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u intervistuan këtë të mëkurë nga ana e këshillit.

Elisabeta Imeraj, drejtuese e prokurorisë së Tiranës, e njohur si prokurore e dosjeve të forta shpalosi platformën e saj përpara këshillit, për mënyrën sesi ajo e sheh strukturën e posacme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gruaja që hetoi ish-ministrin Saimir Tahiri, emrin e shumëpërfolur të botës së krimit Emiljano Shullazi apo dosjen e “xhihadit” dha shpjegime të detajuara edhe për cështje konkrete. Edhe Edvin Kondili, një tjetër prokuror karriere, I konfirmuar në detyrë nga shkalla e parë e vettingut e dha provimin e radhës përpara këshillit.

Në radhë, përpara qeverisë së prokurorëve dolën edhe kandidatët, Dorina Bejko, Elida Kackini dhe Behar Dibra. Ku i fundit mungoi në intervistën e datës 9 korrik, me argumentin se ishte I angazhuar në një proces gjyqësor, dhe i rrezikoheshin afatet. Për këtë shkak, këshilli vendosi ta thërrasë këtë të mërkurë.

Prokurori aktual i cështjes Tahiri dhe dosjes së famshme 339 dritan prenci, do të paraqitet të premten përpara këshillit, pavarësisht se ishte njoftuar për të mërkurën. Ai është njoftuar se vlerësimi profesional për të nuk kishte përfunduar.

Në dy ditët e ardhshme, këshilli do të intervistojë kandidatët e radhës dhe do të bëjë pikëzimin e tyre, që sigurisht nuk është përfundimtar, pasi gjithcka përcaktohet nga vendimet e institucioneve të vettingut. Fakti që procesi i vettingut nuk ka përfunduar për të gjithë pretendentët për Prokurorinë e Posacme, mund të shkaktojë subjektivitet të këshillit në pikëzimin e tyre. Kjo pasi, ata që e kanë kaluar vettingun, konsiderohen të përshtatshëm për ushtrimin e detyrë, c’ka iu jep me shumë përparësi.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb