Nga Erjon Skendaj
TIRANË- 8 ditë pas vdekjes së 13-vjeçares, familja Smajli nga fshati Berishë i Pukës ka thyer heshtjen duke bërë me faj bluzat e bardha në Fushë Arrëz për humbjen e vajzës.

I ati i 13-vjeçares Lini Smajli tregon momentet e rënda kur vajza dha shpirt si dhe telefonatën me mjekun e familjes që sipas tij pa e parë dhe vizituar fëmijën e ka këshilluar të mos shqetësohet por ta trajtojë me paracetamol me argumentin se është grip.

Humbja e vajzës e ka dërrmuar në shpirt por thotë se rron me shpresë që të paktën të shpëtojë vajza tjetër, më e vogël që prej 8 ditësh ndodhet në reanimacionin e pediatrisë në QSUT e prekur nga një pneumoni masive në anën e djathtë. E pyesim nëse e ka parë vajzën dhe se çfarë ka biseduar me mjekët por lini vetëm ngre supet.

Nga kryefamiljari mësojmë se e gjithë familja Smajli ka braktisur shtëpinë në fshatin e thellë në Fushë Arrës dhe është transferuar momentalisht në pavijonet e QSUT ku veç vajzës 11-vjeçare mbahen të shtruar edhe 3 djemtë, që ndodhen në shërbimin infektiv për të rritur.

60-vjeçari mezi i mban lotët teksa flet për dramën që ka pllakosur në familjen e tij të varfër ku edhe e vetmja e ardhur nga ndihma ekonomike 5 mijë lekë në muaj i është ndërprerë që në janar pasi siç thotë edhe vetë e ka pasur të pamundur të shkojë në qytet për të bërë dokumentet për shkak të izolimit nga dëbora.

Për qeverinë ka vetëm një lutje, që ta ndihmojë në hallin e madh që i ka rënë.
Të kontaktuar nga News24 burime zyrtare nga QSUT pohojnë se gjendja shëndetësore e 11-vjeçares është përmirësuar ndjeshëm dhe se është jashtë rrezikut për jetën ndërsa mjekët po mendojnë për ta transferuar në pavijon.

Të shëruar konsiderohen edhe 2 djemtë e mëdhenj të familjes Smajli që thuhet se do të lënë spitalin ditën e mërkurë. Djali tjetër do të vazhdojë të qëndrojë në spital për shkak të infeksionit në vesh që i shkakton gjakderdhjen.

Sipas spitalit “Nënë Tereza” shërbimi mjekësor i ofruar për 4 fëmijët e familjes Smajli ka qenë maksimal dhe nuk i ka munguar asnjë medikament.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb