Nga: ARBËR SULO*
SARANDE- Vajza ime ka ndërruar jetë në një klinikë private në Sarandë ku ishte çuar nga Spiro Papa për të abortuar. Është vrarë me dashje apo pa dashje, këtë nuk e di, por ime bijë kurrsesi nuk ka ndërruar jetë për shkaqet që thotë mjekësia ligjore. Sa të jem gjallë, nuk do të rresht kurrë së kërkuari drejtësi për engjëllin tim të pafajshëm”. Kështu deklaroi dje Jorgo Anagnosti, babai i 16-vjeçares Kostandina Anagnosti, e cila më 15 nëntor të vitit të kaluar humbi jetën në rrethana misterioze. Një ditë pas publikimit të lajmit për denoncimin e bërë nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës ndaj ekspertëve mjeko-ligjorë, Prof. Dr. Elmas Shaqiri, Dr. Zija Ismaili, Dr. Admir Sinamati dhe Prof. Fatos Harito, babai i minorenes deklaroi se shpreson në zbardhjen përfundimtare të vdekjes së vajzës së tij. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Jorgo Anagnosti u shpreh se ka qenë ai iniciator për denoncimin e 4 ekspertëve të IML-së për manipulim të ekspertizës mjeko-ligjore mbi trupin e së bijës.

Z. Anagnosti, kur kanë kaluar 10 muaj nga vdekja e vajzës suaj Kostandina, Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion ka kallëzuar penalisht ekspertët e IML-së për manipulim të ekspertizës mjeko-ligjore. Si ka arritur shoqata deri në këtë përfundim, a keni qenë ju iniciatori i saj?
Pasi kam trokitur në të gjitha institucionet që kishin lidhje direkte apo indirekte me hetimin e vdekjes së Kostandinës dhe nuk kam gjetur zgjidhje, më në fund iu drejtova Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion. Kisha me vete një sërë dokumentesh që faktonin se ekspertiza mjeko-ligjore e vajzës sime 14-vjeçare ishte manipuluar. Për këtë më kanë ndihmuar analizat e bëra në Greqi, te të cilat u drejtova pasi humba totalisht besimin te mjekët ligjorë shqiptarë. Kreu i shoqatës, avokat Ndue Pjetra u çudit nga faktet që unë servira, dhe ishte në një mendje me mua se kjo çështje duhej ndjekur deri në fund, e për këtë u formulua dhe kallëzimi penal për mjekët Elmas Shaqiri, Zija Ismaili, Admir Sinamati dhe Fatos Harito. Fshehja e organeve të vajzës si dhe fakti që ADN-ja e kampionëve që IML serviri nuk ishte e njëjtë me të organeve të sime bije, të bën të dyshosh katërcipërisht se mjekët diçka po tentojnë të fshehin.

Ju, vazhdoni t’i qëndroni faktit që vajza juaj është vrarë, dhe cilat janë disa nga provat e reja që keni zbuluar?
Vajza ime ka ndërruar jetë në një klinikë private në Sarandë, ku ishte çuar nga Spiro Papa për të abortuar. Është vrarë me dashje apo pa dashje, këtë nuk e di, por vajza ime kurrsesi nuk ka ndërruar jetë për shkaqet që mjekësia ligjore thotë. Fakti i gjetjes së një ageje fleksibël të lidhur me leukoplast në krahun e djathtë të saj, apo sasia e lartë e lidokainës në trup, të lë të besosh se asaj i është bërë anestezi. Kjo kuptohet që nuk është bërë në spital, pasi aty vajza ka shkuar e vdekur dhe të vdekurit nuk i bëhet anestezi. Çuditërisht IML nuk paska gjetur fare medikament në trupin e vajzës, ndërkohë që ekspertët grekë po. Unë kam dyshim të faktuar edhe se cila është klinika në Sarandë ku vajza ka kryer abort, por nuk mund të flas për momentin. Edhe dërmishtjet e gjetura te vajza më bëjnë të dyshoj se ndaj saj mund të jetë përdorur edhe dhunë. Të gjitha këto janë listuar me detaje në kallëzimin e bërë ndaj mjekëve, megjithatë për to kanë pasur përherë dijeni edhe policia e prokuroria, por kanë heshtur.

A keni pasur kontakt gjatë kësaj periudhe nga nëna e vajzës apo Spiro Papa?
Jo, asnjë lloj kontakti. Në fakt, ish-gruaja ime bëri të gjitha përpjekjet e saj, madje dhe publikisht përmes mediave greke, që unë të ndaloja së kërkuari diçka më tepër për vdekjen e çuditshme të vajzës. Ajo vazhdon të besojë se vajza iku për shkaqe natyrale, por nuk e di nëse edhe ajo po fsheh diçka. Ndërkohë që, Spiro Papa asnjëherë nuk ka dalë të flasë publikisht për këtë çështje, por përmes njohjeve të tij në Sarandë, natyrisht që ka arritur të fshehë ngjarjen, ndoshta edhe duke paguar për manipulimin e gjithë provave.

A keni besim se do të zgjidhet kjo ngjarje, pasi përsëri mjekët këmbëngulin se kanë nxjerrë ekspertizën e saktë?
Jam tepër i bindur dhe me besim të thellë, se Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion do i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, dhe për këtë kam marrë fjalën e drejtuesit të saj, avokat Ndue Pjetra. Shpresoj shumë që Prokuroria e Tiranës të kryejë hetime të sakta dhe asnjanëse, ndërkohë që unë do të jem në dispozicion të saj për çdo gjë. Sa të jem gjallë, nuk do të rresht kurrë së kërkuari drejtësi për engjëllin tim të pafajshëm, Kostandina.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb