TIRANE- ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ zbardh të tjera detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi sot Tiranën, pasi një barake ku jetonte një çift bashkë me dy fëmijët e tyre të mitur u shkrumbua, e për pasojë humbi jetën vogëlushja 2 vjeçe. Mësohet se në banesën e improvizuar me dërrasa në Babrru në momentin kur ka rënë zjarri ishin vetëm dy fëmijët e mitur, 2 dhe 4 vjeç.

Mësohet se nëna e tyre, Suada Hamzo kishte vënë gjellën në rezistencë, dhe kishte shkuar tek e ëma e saj, banesën e të cilës e kishte shumë pranë të sajës. Në rrethana ende të paqarta barakja mori zjarr, ndërsa prezenca e një bombole gazi bëri që zjarri të përhapje në shkallë më të madhe, duke e djegur atë plotësisht. Sipas gazetares së ‘News24’ Dorjana Bezat, djali 4 vjeç kishte mundur të dilte nga barakja, ndërsa vajza 2 vjeçe me inicialet A.H., fatkeqësisht humbi jetën. Po ashtu, gazetarja raportoi se forcat e zjarrëfikëses dhe policia kanë ardhur vonë në vendin e ngjarjes, në një kohë kur flakët kishin shkruambuar gjithçka.

Drama në familjen Hamzo
Çifti i bashkëshortëve, Safet dhe Suada Hamzo kishin pak kohë që ishin transferuar nga Vlora në Babrru, aty ku bashkëshortja kishte njerëzit e saj. Në kushte të vështira ekonomike ata kishin marrë një shtëpi të improvizuar me dërrasa me qira, ndërsa të ardhurat e tyre i nxirrnin duke mbledhur kanaçe e më pas i çonin në landfillin e Sharrës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: