BULQIZË

Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në fabrikën e pasurimit të kromit ku humbi jetën një minator 65-vjeçar. Arrestohet në flagrancë nga policia Drejtuesi i aktivitetet të Fabrikës së Pasurimit të Kromit dhe 2 shtetas tjerë  për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” .

Zyrtarisht policia deklaron se dje rreth orës 13.30., është marrë informacion se tek fabrika e pasurimit të kromit Bulqizë, në rrethana të pa qarta kishte humbur jetën shtetasi Mustafa Kamishi, 65 vjeç, banues në Bulqizë.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë dhe nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Mustafa Kamishi, (punëtor në subjektin Fabrika e Pasurimit të Kromit Bulqizë), ka qenë duke punuar në zonën e grumbullimit të ujërave kulluese të fabrikës, së bashku me shtetasit Rr. K., dhe A . A., të hipur sipër një varke të improvizuar dhe gjatë lëvizjes me të, kanë humbur ekuilibrin duke rënë ujë, ku si pasojë shtetasi Mustafa Kamishi, ka humbur jetën, dhe pas ngjarjes trupin e viktimës e kanë dërguar në banesë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
I . N., 53 vjeç, banues në Tiranë me detyrë Drejtuesi i aktivitetet të fabrikës së pasurimit të kromit, Bulqizë, i dyshuar se ka kryer veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer ne bashkëpunim.

Rr. K., 52 vjeç, A . A., 38 vjeç, (punëtorë në këtë fabrikë) të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb