NGA SONILA MUSAJ
Pas intervistës së Hekuran Beollarit, të cilit i vdiq vajza 7 vjeçe si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm dhe, edhe pse ka një vendim gjykate që mjeku të mos ushtrojë detyrën, ai është në punë, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, e cila shprehet se po investigion rastin me kujdes dhe çdokush që ka vepruar në kundërshtim me ligjin, do të penalizohet.

Një javë më parë Beollari deklaroi se mjeku vetëm 3 ditë para se të shpallej lista me emrat e personave që do të përfitonin nga amnistia, u vetëdorëzua në polici dhe pas 3 ditësh u la i lirë, duke përfituar nga amnistia. Në një kohë që Neni 5 pika 2 thotë se: “Nuk përfitojnë nga amnistia personat që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë”.

Në lidhje me këtë, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale “IEVP”, Tepelenë, ka sqaruar praktikën e mjekut Faik Pashollari, i cili u dënua nga të tria shkallët e gjykatës për mjekim të pakujdesshëm dhe mosushtrim detyre për 3 vite. Sipas IEVP Tepelenë, mjeku Faik Pashollari ka përfituar amnistinë në aplikim të ligjit nr. 154/2015.

Pashollari është transferuar nga komisariati i policisë Gjirokastër për në IEVP, Tepelenë më datë 20.01.2016. vetëm një ditë pasi Pashollari bëri burg, më datë 21.01.2016, hyri në fuqi ligji nr. 154/2015 për dhënie amnistie, i shpallur me dekretin e presidentit. Pas kësaj, nga ana e sektorit ligjor në IEVP, Tepelenë në bashkëpunim me drejtorin e institucionit, në zbatim të detyrave funksionale u shqyrtua dosja e mjekut Pashollari, nga ku rezultoi se përfitonte nga ligji për dhënie amnistie dhe pas kësaj u përpilua urdhri i lirimit të tij të menjëhershëm, urdhër nr. 60 datë 21.01.2016.

Gjithashtu, burime nga IEVP Tepelenë bëjnë me dije së Faik Pashollari konsiderohet person i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë deri më 30 nëntor 2015 dhe sipas drejtorisë së burgut, vendimi i dënimit në ngarkim të këtij shtetasi ka marrë formë të prerë në datë 17.07.2014. Njëkohësisht, ndaj këtij shtetasi nuk zbatohej kriteri ndalues, i parashikuar nga neni i ligjit, pasi është dënuar për veprën penale “Mjekim të pakujdesshëm”.

Në dokumentin që është përpiluar nga drejtoria e IEVP, Tepelenë, që e disponon edhe “Gazeta Shqiptare” thuhet se mjeku Faik Pashollari është dorëzuar vullnetarisht më datë 18.01.2016 pranë organeve të Policisë së Shtetit, me qëllim që ndaj tij të ekzekutohet vendimi i dënimit i formës së prerë dhe vuajtja e dënimit me 1 vit burgim. Sipas një llogarie të thjeshtë, mjeku është dënuar me 1 vit burg dhe ka qenë person i shpallur në kërkim.

Sigurisht që pasi mori vesh se do të bëhej një listë me emrat e të amnistuarve, vendosi që të dorëzohej dy ditë para dhe pasi u dorëzua, ndenji vetëm një ditë në burg, për të fituar më pas nga amnistia. Por, sipas nenit 5 pika 2 thuhet se personat që i shmangen ekzekutimit të dënimit nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga amnistia. Gjithashtu, mësohet se mjekut Pashollari i është falur vetëm dënimi dhe jo vepra e tij, pasi në vendimin e Gjykatës së Lartë, ai është i dënuar me 1 vit burg dhe 3 vite mosushtrim detyre.

Edhe pse mjekut Pashollari i është falur dënimi më 21.01.2016, ai nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e tij për 3 vite. Sot që po flasim mjeku ushtron detyrën në spitalin e Përmetit, edhe pse ka një vendim gjykate që ia mohon këtë të drejtë. Lidhur me këtë, Ministria e Shëndetësisë deklaron se sapo të zbardhë të vërtetën, të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë reagon në lidhje me denoncimin e Hekuran Beollarit, të cilit i vdiq vajza e tij 7 vjeçe si pasojë e një mjekimi të pakujdesshëm. Beollari denoncoi mjekun Faik Pashollari, i cili edhe pse ka një vendim që të mos ushtrojë detyrën si mjek për 3 vjet, ai është në punë. Ministria e Shëndetësisë deklaron për “Gazeta Shqiptare” se po investigon rastin me kujdes dhe çdokush që ka vepruar në kundërshtim me ligjin do të penalizohet.

Historia e 7-vjeçares që vdiq nga mjekimi i gabuar
Ishte data 13 gusht i vitit 2012, kur E.Beollari në atë kohë 7-vjeçe shkon në spital pasi disa të vjellave. Nga ora 04.00 e mëngjesit deri në orën 07.00 të datës 13.08.2012 mori vetëm dy serume, por të vjellat nuk iu ndalën.

Në orën 8 mëngjesit në spitalin e Përmetit ka mbërritur mjeku pediatër Faik Pashollari. Sipas të atit të vajzës, mjeku u tha prindërve të saj se është virozë dhe ka vazhduar që t’i bëjë serume. Por, gjendja e 7-vjeçares nuk u përmirësua dhe ky mjek vendosi që t’i bëjë disa gjilpëra, por kësaj here, gjendja e vajzës u përkeqësua dhe babai i 7-vjeçares mori kontakt me drejtorin e spitalit që vajzën ta dërgonte në një spital më të specializuar, siç është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Rreth orës 21.00 vajza, së bashku me prindërit, u nisën me ambulancë drejt Tiranës dhe pa bërë 10 km rrugë nga spitali i Përmetit, ajo ndërroi jetë. Sipas babait të 7-vjecares, Hekuran Beollarit, akuzon mjekun për shkakun e vdekjes. Sipas tij edhe pse ka një vendim të formës së prerë që mjeku nuk duhet të ushtrojë detyrën për 3 vjet, pas dënimit ai sot punon si mjek në spitalin e Përmetit. H. Beollari tregon për “Gazeta Shqiptare” se ajo që po i bëhet është e padrejtë dhe se që pas vdekjes së vajzës nuk po gjen qetësi dhe nuk po vihet drejtësia për të. Ai shprehet se vajza e tij iku dhe nuk kthehet më, por kërkon të paktën që mjeku të marrë ndëshkimin e merituar.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb