Historia e një 48-vjeçari nga Durrësi u trajtua sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur”. Ishte viti 2012 kur ai humbi jetën pasi ra nga ndertesa 4 katëshe në të cilën punonte prej vitesh. Pas një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Durrësit nuk arriti dot të mbijetojë.

Familja priti që të merrte dëmshpërblim nga firma në të cilën i ndjeri punonte, por teksa pa se asgjë nuk po ndodhte iu drejtua institucioneve. Prokuroria ka mbyllur për të disatën herë çështjen duke deklaruar se nuk ka vepër penale, ndërkohe për të disatën herë ata kanë kërkuar vazhdimin e hetimeve dhe zbardhjen e së vërtetës nga gjykata në gjykate.

RRËFIMI I TË BIRIT

Ka qënë data 22 prill viti 2012 ora 11:30 kur jemi lajmëruar në shtëpi për aksidentin e babait”, rrëfen Marigleni. Vjen një punëtor dhe thotë se Cami ka rrëshkit nga një shkallë po nuk është vrarë shumë. Të alarmuar shkojmë në spital unë, mami, çuni i dajës, nusja e dajës dhe një kushëri. Kur shkojmë tek spitali aty gjejmë pronarin, inxhinierin dhe punëtor të firmës. Aty flasim me babin, mami i ka vënë dorën tek koka. Ishte çarë pak tek koka. Ai vetë ka treguar se ishte vrarë në kokë. Aty ka ardhur një komshie që ka shtëpinë afër pallatit “erdhi, bërtiti me të madhe se kush janë familjarët e këtij se ky ka rënë nga kati i katërt, kurse dy punëtoret e lavazhit që e çuan në spital të njëjtat llafe kanë thënë. Aty e morëm vesh ne që babi ka rënë nga pallati, pronari dhe inxhinieri flisnin vetë me doktorët dhe ju thoshin mos ju jepni shpjegim familjarëve. Të gjitha sqarimet i jepnin ata. E futën në sallë të operimit, aty u vonua gati 4 orë e 30 minuta se kishte hemoragji të brendshme. Rreth orës 1 e 30 të natës mbas operacionit ndërroi jetë, na mbanin me shpresa kot dhe kur edhi daja në spital dhe i ra telefonit të pronarit dhe inxhinierit ata i kishin fikur të dy telefonat dhe s’na kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi. Pastaj pronari na hoqi vetëm shpenzimet e vdekjes dhe më pas tha do flasim prapë, s’kam për t’u lënë me kaq se këtë e kam patur punëtorin më të mirë dhe më të rregullt. Ka qënë me siguracione prej 8 vitesh dhe ne pritëm nga prilli deri në shtator të atij viti në shtëpi. Ai s’na kthente përgjigje, i shkuam në zyrë, unë dhe mami, ai fshihej. U detyruam hapëm gjygj në shtator të atij viti. Kemi nga shtatori i vitit 2012 e deri më sot, ne ngelëm nëpër dyert e gjykatës dhe s’po gjejmë dot drejtësi dhe gjykata bën sipas interesave të lekut, e pushon çështjen. Ne kemi të drejtë, por s’po gjejmë dot atë deri tani. Zonja e cila foli në spital dhe na tha se kishte rënë nga kati i katërt nuk pranon të vijë të dëshmojë në gjykatë dhe ta thotë të vërtetën pasi pronari e ka takuar që atë ditë dhe i ka dhënë shtëpi.

Sipas firmës së ndërtimit viktima Yzeir Çafa ka qënë roje në objekt dhe nuk ka patur për detyrë të ngjitej nëpër shkallë ndërkohë që ai është rrëzuar nga kati i katërt, ka rënë një herë në kat të dytë dhe më pas ka rënë poshtë, sipas bashkëshortes zonjës Sanije ai ka qënë punëtor ndërtimi dhe atë ditë do ngjiste derrasa, nuk ka qënë asnjëherë roje. Prokuroria ka deklaruar me dhjetëra herë që nuk ka vepër penale në këtë rast dhe nuk ka pranuar të vazhdojë hetimet ndërkohe gjykata e shkallës së parë disa herë ka dhënë vendim në favor të familjes së viktimës për të nisur hetimet. Vendimet janë apeluar dhe ata kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe seancat maratonë pa asnjë rezultat konkret.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb