Mes viktimave të tërmetit të 26 nëntorit ishte dhe polici Bajram Hajdarmataj, i cili mbeti nën rrënojat e Kavaleshencës. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, shoqata e punonjësve të Policisë në Lirim kanë kërkuar informacione për verifikimet që janë bërë.


Në kërkesën e saj, shoqata pyet nëse ka pasur verifikime në Kavalishencë pas 21 shtatorit, si dhe për faktin nëse u morën apo jo masat.


“Kërkojmë informacion për verifikimet që janë bërë. Pati verifikime në Kavalishencë pas 21 shtatorit? Duam dokumentin zyrtar për verifikimet. Cilët ekspertë u angazhuan e çfarë vlerësime bënë? A u morën masa nëse godina u vlerësua si e rrezikshme?”, thuhet në kërkesën e shoqatës së punonjësve të Policisë në Lirim.


KERKESA E SHOQATES
Në tërmetin e 26 nëntorit 2019 ndër viktimat ishte edhe Kryekomisar Bajram Hajdarmataj, i cili ndodhej në krye të detyrës në Kavaleshencë në Durrës. Tre javë nga ngjarja e rëndë dhe ende nuk ka një reagim apo veprim nga ana e Ministrisë së Brendshme.

Ne si SH.P.P.L-2013 kërkojmë informacion në lidhje me çështjet si më poshtë:

1. A u verifikua siguria e Kavalishencës nga Ministria e Brendshme pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, të na vihet në dispozicion dokumenti zyrtar që e provon këtë.

2. Kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata?

3. A u lajmëruan për konstatimet Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për gjetjet e ekspertimit?

4. Nëse godina ishte vlerësuar si e rrezikshme, çfarë masash u morën nga drejtuesit dhe Ministria e Brendshme për të penguar aktivitetet, në mënyrë që të parandalohej pasoja me viktim punonjësin e policisë Bajram Hajdarmataj?

5. Kush dha urdhër që dhe pas konstatimeve që godina kishte dëmtime serioze të vazhdonin aktivitetet e punonjësve të Policisë së Shtetit?

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë detyrimin të reagojnë menjëherë me përgjigje serioze dhe profesionale për të gjitha pyetjet e shtruara më sipër.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb