TIRANE-Pas shqetësimit publik, mbi një ngjarje të rëndë ende të pazbardhur, ku qytetari shqiptar Pëllumb Nikoll Marknikollaj dyshohet se humbi jetën nga dhuna e ushtruar prej policisë greke, Avokati i Popullit z. Igli Totozani, i është drejtuar homologut të tij grek, z. Andreas Pottakis.

Në një letër zyrtare, Avokati i Popullit të Shqipërisë i kërkon Ombudsmanit grek z. Pottakis që të ndërhyjë me kompetencat që i jep ligji në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, për nxitjen e institucioneve shtetërore në zbardhjen e së vërtetës dhe shkaqeve që çuan në vdekjen e të riut shqiptar, z. Pëllumb Nikoll Marknikollaj

“Në respekt të familjes së të ndjerit dhe opinionit publik në Shqipëri, ta ndiqni këtë rast edhe në kuadër të kompetencave si mekanizëm kombëtar i parandalimit të torturës, i cili shqyrton veprimet dhe mosveprimet e organeve të policisë në respektim të të drejtave dhe të garancive të personave të privuar nga liria”, shkruan z. Totozani në letrën drejtuar homologut të tij grek z. Pottakis.

Avokati i Popullit z. Igli Totozani i ka dërguar edhe një shkresë zyrtare Ministrisë së Jashtme Shqiptare ku i kërkon informacione mbi hapat që po ndërrmerr ky institucion lidhur me zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësve që shkaktuan vdekjen e shqiptarit Pëllumb Nikoll Marknikollaj në rajonin e Policisë Kato Patisia, në Greqi.

Avokati i Popullit i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerit Marknikollaj, duke qenë pranë tyre në këtë fatkeqësi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: