DURRES- Spitali i Durrësit ka reaguar pas vdekjes së një foshnje në qytetin bregdetar, 4 muaj pas lindjes. Familjarët akuzonin mjekët për neglizhencë, por spitali i Durrësit thotë se foshnja ka marrë trajtimin maksimal nga mjekët. Sipas këtij institucioni, foshnja kishte lindur me sindromë të rrallë gjenetike.

Reagimi i spitalit:

Duke shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e fëmijës së tyre, drejtoria e spitalit rajonal të Durrësit sqaron opinionin publik, në lidhje me lajmin e publikuar në media për “mosveprim të mjekëve në rastin e humbjes së jetës së një foshnje të porsalindur” si vijon:

Pacientja V.G. u paraqit në spital më datë 07.09.2018 në orën 08.00, gravidance 39 javë, paraqitje podalike dhe menjëherë u krye ndërhyrja sectio caesarea segmentare.

Pacientja është asistuar me profesionalizëm gjatë lindjes dhe foshnja u reanimua në sallën e operacionit dhe më pas në repartin e terapisë intensive, në mënyrë kosultative.

Sipas mjekut operator, ekstraksioni i fetusit paraqiti vështirësi dhe u vu re gjatë lindjes frakturë femorale dhe humerale, vërtetuar dhe me grafi.

Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin maksimal, në konsultë me ortopedët dhe shërbimin terciar, por fatkeqësisht fëmija ka qenë në gjendje të rëndë dhe nuk ka arritur të mbijetojë, duke ndërruar jetë më datë 11.09.2018.

Sipas mjekëve, foshnja dyshohet të ketë patur një sëmundje të rrallë gjenetike, anomali skeletike kongenitale, që mund të vlerësohet nga autopsia.

Aktualisht është kryer autopsia dhe priten rezultatet e ekspertizës mjeko-logjore për shkakun e vdekjes së foshnjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: