TIRANË- Avokati i Popullit, Igli Totozani ka reaguar pas vdekjes së një foshnje në Sarandë. Ai i bën apel “shurdhërisë së pushtetit vendor e qendror” dhe kërkon me forcë marrjen e masave urgjente për të pastrehët, të varfrit dhe të pamundurit, që të mos humbasin më jetë të pafajshme.

“Sipas raportimit te mediave dhe bluzave të bardha në spitalin e Sarandës, një foshnje ka humbur jetën si pasojë e të ftohtit. Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, i bën përsëri apel, këtë herë shurdhërisë dhe indiferencës së pushtetit vendor dhe atij qendror, që i kanë lënë këto shtresa në nevojë në pikë të hallit, aq sa nuk munden t’i mbijetojnë të ftohtit”, thuhet në reagimin e AP.

Më tej, Avokati i Popullit,  Igli Totozani, i shpreh ngushëllimet familjes Spahiu për humbjen e rëndë, në këto kushte të tmerrshme.

Foshnja 7-muajshe ka mbërritur pa shenja jete ditën e djeshme në Spitalin e Sarandës dhe mjekët njoftuan menjëherë policinë. Mësohet se babai i foshnjës nuk ka pranuar që vajzës së tij t’i bëhej autopsia dhe pikërisht për këtë gjë nuk ka hedhur asnjë firmë.

Burime pranë bluzave të bardha pohuan se fëmija me iniciale K.S. ka ndërruar jetë nga i ftohti. Misir Spahiu së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë e tjerë, përkatësisht 4 dhe 6-vjeçarë, janë shpërngulur nga Dibra dhe aktualisht jetojnë në fshatin Cerkovicë të Sarandës. Mësohet se kjo familje jeton në kushte shumë të vështira ekonomike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb