Nga: Klodiana Haxhiaj

MANEZ- Në 4 maj, në Manëz të Durrësit u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, një prej ish politikaneve iraniane Marzieh Rezaie e cila i doli kundër sundimit të Shahut, pjesë e opozitës së strehuar në Shqipëri. Vdekja e saj në Manëz ku jetonte prej muajsh si azilante politike, solli një debat absurd midis një grupi banorësh dhe komunitetit të gjerë të banorëve në Manëz.

Një grup njerëzish kundërshtuan varrimin e saj në varrezat e fshatit, madje trupi mbeti për katër ditë në morg. Reagimi aspak etik u përshkallëzua saqe së fundi ky grup ka kërkuar edhe zhvarrimin nga këto varreza dhe krijimin e një varreze tjetër për muxhahedinët e strehuar në kampin që po ndërtohet në këtë fshat.
Banorët e Manzës pasi janë njohur nga media me këto qëndrime janë shprehur kundër idesë së zhvarrimit të zonjës nga varrezat e fshatit. Banorët thonë për News24 se nuk është në dinjitetin e shqiptarëve të mos lejojnë varrimin e të vdekurve, apo aq më keq të kërkojnë zhvarrimin e tyre.

Banorët e Manzës thonë se shqiptarët jetojnë kudo në botë. Sipas tyre, nëse qytetarët e vendeve të botës do të kërkojnë të njëjtën gjë si do të ndjehen shqiptarët?

News24 ishte edhe në xhaminë e fshatit ku më të moshuarit thonë se kanë marrëdhënie të mira me muxhahedinët. Problemi qëndron tek varrezat. Nuk ka më vend por kjo nuk do të thotë që duhet të zhvarrosen të vdekurit. Bashkia ti gjejë zgjidhje këtij problemi. Meqë ska vend të blejë tokë tjetër për varreza për të huajt thanë ata.

Muharrem Sulo administrator i njësisë vendore Manëz në një lidhje telefonike për News24 tha se ka zhvilluar takime me komunitetin e banorëve dhe atë muxhahedin.

“Kemi zhvilluar takime pasi një grup banorësh dolën kundër. Komuniteti muxhahedin është treguar shumë bashkëpunues. Ata na thanë na vendosni një tokë në dispozicion për varreza. Nëse nuk doni e bëjmë zhvarrimin e zonjës, dhe e varrosim në varrezat që do na jepni në dispozicion. Ata janë treguar shumë miqësorë”- tha ai.

Ditë më parë një grup banorësh deklaruan se të intensifikojnë protestat deri në bllokim rruge nëse iraniania nuk do të zhvarrosej nga varrezat e vjetra të fshatit.

Mbi 100 banorë të Manzës janë punësuar në kampin që po ndërtohet për muxhahedinët . Prej 6 muajsh ata punojnë së bashku. Ata thonë se marrëdhënia midis banorëve vendas dhe muxhahedinëve iranianë është shumë e mirë dhe miqësore.

Por Mentor Basha një tjetër punëtor thotë se shkak i debatit që lindi është mungesa e hapësirës në varrezat e fshatit. Ai mbështet idenë që komuniteti muxhahedin të ketë varreza në një tokë tjetër.
Faramarz Safa është një prej izolanteve politikë. Në vendin e tij në Iran ai ka punuar në media.

Safa tha në një prononcim për News24 ai tha:

“Unë jam një nga banorët e këtij vendi dhe erdhëm në Shqipëri nga Iraku bazuar në marrëveshjen me qeverinë shqiptare. Unë e njoh personalisht Znj. Marzieh Rezaie dhe ajo ishte nga një familje e njohur në Iran. Tre nga vëllezërit e saj dhe një nga motrat e saj u ekzekutuan nga regjimi Shah dhe dy nga motrat e saj u vranë nga regjimi i mullahut. Isha i befasuar që një çështje e tillë e thjeshtë e varrimit shkoi në shtyp, sepse kemi një marrëdhënie të mirë me njerëzit dhe për këtë çështje po punojmë me zyrtarët lokalë dhe njerëzit dhe ne kemi zgjidhur shqetësimet e tyre”.

News 24 mësoi se e gjithë ky debat u hap sepse një grup banorësh duan të shesin tokat që janë pranë kampit për muxhahedinët. Këta banorë pretendojnë që në këtë mënyrë të shesin tokat bujqësore me cmime të larta për kampin e muxhahedinëve. Aktualisht kampi ka në dispozicion 45 hektarë tokë që banorë e shitën lirë disa vjet më parë, kur edhe u arrit marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane për strehimin e rreth 3 mijë azilantëve poltikë nga Irani.

Drama e 50 vjecares. Si ju shua e gjithë familja në luftën kundër Shahut të Iranit?
Cila ishte Marzieh Rezaei

Znj. Marzieh Rezaei, e cila ishte anëtare e grupit të muxhahedinëve iranianë të strehuar në Shqipëri, ndërroi jetë më 4 maj 2018, pas një lufte të gjatë me kancerin. Lindur më 1968-n në familjen e njohur Rezaei, e cila ka humbur shumë anëtarë të saj në luftën e popullit iranian për liri, Marzieh Rezaei u familjarizua me muxhahedinët dhe përkushtimin e tyre për kombin e vet që në moshë të re. Pasi u bashkua me opozitën iraniane, ajo ka pranuar vazhdimisht dhe në mënyrë aktive.
Gjatë sulmit të forcave irakene në korrik 2009 ndaj Kampit Ashraf – vendi i mëparshëm i muxhahedinëve në Irak – Znj. Rezaei qëndroi me guxim krah për krah kolegëve të saj për të mbrojtur shtëpitë dhe të drejtat e tyre. Në vijim të sulmit të irakenëve, Znj. Rezaei u bashkua me një numër të madh muxhahedinësh të tjerë në një grevë urie për të protestuar ndaj kësaj mizorie. Pavarësisht përkeqësimit të shëndetit të saj pas një greve të gjatë urie, Znj. Marziah ishte gjithmonë një frymëzim për miqtë dhe kolegët e saj.

Pas një krimi të urryer nga mercenarët e regjimit të mullahut në Kampin Ashraf në Irak më 1 shtator 2013, gjatë të cilit 52 muxhahedinë u pushkatuan brutalisht me gjakftohtësi, ajo, së bashku me qindra muxhahedinë të tjerë dhe mbështetës nga e gjithë bota filloi një grevë urie që zgjati 92 ditë. Tre nga vëllezërit dhe një nga motrat e e Znj. Rezaei janë ekzekutuar nga regjimi i Shahut, dhe dy nga motrat e saj si dhe shumë familjarë të tjerë janë vrarë nga regjimi i Mullahut.

Pas një jete të mbushur me luftë për kauza të mëdha, ajo sot prehet ne tokën shqiptare, larg Atdheut të saj, dhe ndoshta vdiq duke shpresuar se pasardhësit e saj do jetojnë te lire ne vendin e tyre… Ne token tonë kanë varret e tyre shume të huaj, dhe shqiptarët iu kanë bërë të gjitha nderet që i takojnë një të vdekuri.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: