TIRANË- Babai i të riut Pëllumb Marnikollaj, i cili humbi jetën në rrethana misterioze në shtetin grek deklaron se vdekja e të birit në rajonin e policisë nuk është ngjarje aksidentale ashtu siç raportuan autoritetet greke. Ai thotë se djalin ia kanë vrarë, e më pas janë munduar të fshehin gjurmët.

“Djali im është vrarë. Policia greke ka dashur të humbë gjurmën, nuk është ngjarje aksidentale. Ata kanë dashur të fshehin dhe identitetin e kufomës”,- thotë Nikollë Marnikollaj ndërsa apelon që shtëti shqiptar të zbardhë ngjarjen.

I ati tregon të gjithë kalvarin që përshkoi djali tjetër i tij, me shokët dhe avokaten greke për të gjetur trupin e Pëllumbit. “Punëtorët po bëheshin gati ta varrosnin, është ndaluar nga avokatja që të varroset. Djali ka qenë me dokumenta të rregullta, me adresë. Si mund ta quanin person të paidentifikuar? Kam bindje të plotë që nuk është ngjarje aksidentale. Ai është dhunuar dhe masakruar nga vetë policia në rajon”.

Më tej, ai thotë se nuk ka marrë ende një përgjigje nga ekspertiza. “Ekspertiza mjekoligjore është bërë në Tiranë dhe po presim raportin. Do ta ndjekim në rrugë ligjore, ne si kemi pasur asnjë borxh, krimi ka ndodhur në zyrat e shtetit. Gjërat janë të qarta, kanë dashur ta zhdukin, por s’do ta lëmë me kaq. Ne do t’i shkojmë deri në fund, do zbardhim të vërtetën”,- thotë më tej babai i pikëlluar.

Po sot ekspertiza mjekoligjore në Tiranë pas disa orësh verifikimi të imtësishëm, pranoi se mbi të riun shqiptar është ushtruar torturë.

Viktima kishte një vendim gjykate detyrim paraqitje në polici dhe ai si zakonisht ishte paraqitur për të firmosur në polici duke respektuar ligjin dhe vendimin e gjykatës, me mendimin të rikthehej sërish në shtëpinë e tij, por ka ndodhur krejt ndryshe, Marnikollaj u paraqit për mos tu kthyer më kurrë.

Pasi ka humbur kontaktet telefonike me shokun e tij, ky i fundit është shqetësuar dhe është vënë në kërkim të shokut, Kanë qënë shokët e viktimës që i janë drejtuar avokates greke Maria Konstantopoulou për ndihmë e cila menjëhere ka shkuar në Rajonin e Policisë Agio Lavro në lagjen Ano Patisia të Athinës, ku është informuar se i riu shqiptarë nga Lezha kishte ndërruar jetë dhe ndodhej në morgun e një spitali aty afër. Avokatja ka gjetur vendodhjen e viktimës dhe ka bërë identifikimin permes njerëzve të afëtrt të 28 vjeçarit.

Avokatja Konstantopoulou në një bisedë telefonike i ka rrëfyer gazetarit Kujtim Vani se ishte tronditur shumë kur kishte parë viktimën në murgun e Spitalit.
“Nuk më ka ndodhur ndonjë here në jetë të shohë një viktim të tillë, kaq trishtuese”, tha avokatja duke fajësuar veç policisë edhe shërbimin e spitalit. Mediat greke nuk e kanë publikuar këtë lajm.

Ngjarja e rëndë ku humbi jetën në rrethana të dyshimta 28-vjeçari nga Lezha Pëllumb Marnikollaj, po ndiqet me përparësi nga autoritetet e Ambasadës Shqiptare në Athinë, të cilët thonë se jemi të vendosur dhe do ti shkojmë çështjes deri në fund, për zbardhjen e të vërtetës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë dhe ndëshkimin e tyre.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb