TIRANE- Një dëshmi e re u publikua sot në News 24 për vdekjen e emigrantit shqiptar nga Lezha, Pëllumb Marnikollaj në rrethana ende të paqarta. Familjarët akuzojnë policinë greke se e kanë dhunuar deri në vdekje, ndërkohë që ata thonë se i riu është vetëhedhur nga kati i katërt i komisariatit të policisë.

Personi që dëshmon është miku i Pëllumb Marnikollajt me inicialet F.H që e ndoqi çështjen nga fillimi deri në fund. Është filmuar me shpinë pasi akoma nuk i ka ikur tmerri që kanë parë tek shoku i tyre dhe i frikësohen policisë tani për tani. F. H. është futbollistë profesionist në një skuadër greke.

Ai tregon për News 24 se shokun e tij e kishin varrosur, pa njoftuar familjen, pasi e kishin mbajtur 4 ditë në frigorifer në morgun e spitalit. F.H tregon kalvarin e kërkimeve nga komisariati i policisë, në spital e më pas në varreza, ku mundën të shohin trupin e viktimës plot me shenja.

“Isha në rajon policie, pas 2 apo 3 orësh e mora në telefon nuk përgjigjej më, telefoni ishte i fikur, u shqetësuam. Kontaktuam shoqen tonë avokate e falënderojmë shumë. Pasi e morëm në telefon shkuam në polici vëllai i viktimës dhe daja i tij. Pyeti Maria na tha që Pëllumbi është pa jetë, në moment e sipër në nerva pyetëm si ka ndodhur kjo ngjarje na shpjego. Polici më tha është hedhur nga kati i 4-t, i kërkova me tregu se ku është hedhur ma bëri me dorë por më tha që janë arsye hetimore. I kërkova me hap kamerat tha që serveri nuk punonte atë ditë, Pas shumë orëve muhabet shkuam në spital në Athinë ku na thanë se e kanë çuar trupin”,- tha miku i viktimës.

Miku i viktimës thotë se rajoni ishte me tre kate ndërkohë që atyre iu b e ditur që Pëllumb Marnikollaj ishte hedhur nga kati i katërt, pra që nuk ekzistonte. “Në spital se kishin as në libër, shkuam deri tek drejtoresha. Pas shumë këmbënguljesh na thanë se spitali e ka mbajtur 4 ditë në frigorifer. Pastaj një agjenci private funerale e kishte çuar në varreza”.

Më tej ai rrëfen edhe përpjekjet për të parë trupin pa jetë të mikut të tij. “Kur shkuam tek varrezat na thanë që autopsia është bërë me urdhër të rajonit të policisë. Ne u çuditëm, si ka mundësi që është bërë kjo pa dijeninë e familjarëve. Pasi na dhanë kontaktin me agjencinë private funerale nuk dëgjonin të na tregonin trupin pa urdhër të prokurorisë, deri sa më në fund e pamë trupin. Ca me pa..syri i majtë i nxirë krejt, shpina, dora e majtë e nxirë krejt. Ai ishte torturuar deri në vdekje. Nuk donim gjë tjetër veçse me marrë trupin deri në shtëpi. Ishte dërguar në varreza si një njeri pa i identifikuar”.

NGJARJA
Viktima kishte një vendim gjykate detyrim paraqitje në polici dhe ai si zakonisht ishte paraqitur për të firmosur në polici duke respektuar ligjin dhe vendimin e gjykatës, me mendimin të rikthehej sërisht në shtëpinë e tij, por ka ndodhur krejt ndryshe, Marnikollaj u paraqit për mos tu kthyer më kurrë.

Pasi ka humbur kontaktet telefonike me shokun e tij, ky i fundit është shqetësuar dhe është vënë në kërkim të shokut, Kanë qënë shokët e viktimës që i janë drejtuar avokates greke Maria Konstantopoulou për ndihmë e cila menjëhere ka shkuar në Rajonin e Policisë Agio Lavro në lagjen Ano Patisia të Athinës, ku është informuar se i riu shqiptarë nga Lezha kishte ndërruar jetë dhe ndodhej në morgun e një spitali aty afër. Avokatja ka gjetur vendodhjen e viktimës dhe ka bërë identifikimin permes njerëzve të afëtrt të 28 vjeçarit.

Avokatja Konstantopoulou në një bisedë telefonike i ka rrëfyer gazetarit Kujtim Vani se ishte tronditur shumë kur kishte parë viktimën në murgun e Spitalit.
“Nuk më ka ndodhur ndonjë here në jetë të shohë një viktim të tillë, kaq trishtuese”, tha avokatja duke fajësuar veç policisë edhe shërbimin e spitalit.
Mediat greke nuk e kanë publikuar këtë lajm

Ngjarja e rëndë ku humbi jetën në rrethana të dyshimta 28 vjeçari nga Lezha Pëllumb Marnikollaj, po ndiqet me përparësi nga autoritetet e Ambasadës Shqiptare në Athinë, të cilët thonë se jemi të vendosur dhe do ti shkojmë çështjes deri në fund, për zbardhjen e të vërtetës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë dhe ndëshkimin e tyre.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb