TIRANE – Pas vdekjes së minatorit në minierën e Munellës, Reparti i Inspektim, Shpëtim Minierave ka përmbyllur raportin e hetimit të aksidentit të ndodhur më 14 shkurt. RISHM-i konstatoi se shkaku i aksidentit, me pasojë vdekjen e shtatasit Gjovalin Prenga, është shembja nga tavani dhe faqja anësore e një masivi minerali pranë ballit të traversës gjatë kohës kur bëhej shpimi i birave. Sipas RISHM-it, shkelja e rregullores së teknikës së sigurimit nga përgjegjësi i minierës, drejtuesit teknik dhe përgjegjësi i turnit, kanë sjellë ndodhjen e aksidentit me pasojë vdekjen e minatorit.
Mësohet se RISHM-i do të kërkojë pranë organeve të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Pukë fillimin e procedimit penal për shkelje të rregullave të sigurimit teknik me pasojë vdekjen e shtetasit Gjovalin Prenga, ndaj përgjegjësit të minierës, drejtuesve teknik dhe përgjegjësit të turnit. RISHM-i do të marrë masa administrative me gjobë për personat e tjerë përgjegjës, duke filluar që nga administratori i kompanisë “BERALB” sh.a.
RAPORTI I RISHM-it
“Nga verifikimet në vendin e ngjarjes rezultoi se i aksidentuari është shtetasi Gjovalin Mark Prenga , i datëlindjes 28.06.1966; lindur dhe banues në fshatin Kimez, rrethi Pukë; i martuar; me dy fëmijë, me profesion minator-zjarrmëtar dhe anëtar i grupit avaro-shpëtues të subjektit, vjetërsia në punë në miniere mbi 20 vjet; instruktuar për herë të fundit më 05/01/2015; i siguruar për jetën ndaj aksidenteve në punë. Aksidenti me pasojë vdekjen e shtetasit Gjovalin Prenga, ka ndodhur në traversën e katit të VI të galerisë H +748; në objektin minerar “Miniera e bakrit Munelle” rrethi Puke, qarku Shkodër, e cila është e përfshirë në lejet minerare nr.643 dt. 27/08/2001 nën administrimin e subjektit minerar “BERALB”sh.a. Grupi inspektorëve të RISHM-it, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe dokumentacionit të disponueshëm në subjekt konstatoi se:
-Fronti i punës traversa e katit të VI të gal H +748, projektuar për tu hapur me seksion 3.5 x 3.5m (tavan harkor), kishte avancuar rreth 7ml. Puna në këtë front kishte filluar 3 ditë më parë. Materiali i shembur nga tavani dhe faqja anësore e majtë e traversës, kishin sjellë zgjerimin e seksionit të saj në përmasa 4.5m gjerësi dhe rreth 5m lartësi. Gjatësia e punimit të pa armatosur ishte 9ml.

-Gjatë kontrollit të urdhrave ditor të punës, u konstatua se fronti ku ndodhi aksidenti nuk ishte planifikuar për tu punuar. Sipas deklarimeve të personelit inxhiniero – teknik, punëtorët janë çuar atje për të punuar mbi bazën e urdhrit verbal të dhënë nga përgjegjësi i minierës. Në këto kushte, drejtuesit teknik dhe përgjegjësi i turnit, duhet të kishin ndaluar menjëherë punën. Puna në front duhet të kishte rifilluar me urdhër pune në të cilën të specifikohej si proces i parë armatimi i frontit deri afër ballit.
RISHM-i konstaton se shkaku i aksidentit me pasojë vdekjen e shtatasit Gjovalin Prenga është shembja nga tavani dhe faqja anësore e një masivi minerali pranë ballit të traversës gjatë kohës kur bëhej shpimi i birave. Shkelja e rregullores së teknikës së sigurimit nga përgjegjësi i minierës, drejtuesit teknik dhe përgjegjësi i turnit, kanë sjellë ndodhjen e aksidentit me pasojë vdekjen e minatorit. Pas kryerjes së veprimeve në terren, RISHM-i ka ndaluar menjëherë punën në të gjithë minierën. Është kërkuar bërja e analizës së aksidentit në subjekt, nxjerrja e shkaqeve, personave përgjegjës dhe masat për përmirësimin organizativ e teknik.
RISHM-i do të kërkojë pranë organeve të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Pukë fillimin e procedimit penal për shkelje të rregullave të sigurimit teknik me pasojë vdekjen e shtetasit Gjovalin Prenga, ndaj përgjegjësit të minierës, drejtuesve teknik dhe përgjegjësit të turnit. RISHM-i do të marrë masa administrative me gjobë për personat e tjerë përgjegjës, duke filluar që nga administratori i kompanisë “BERALB” sh.a. Puna në këtë objekt do të rifillojë vetëm pas realizimit të të gjitha detyrave që do të vendosen nga analiza e përbashkët e RISHM-it dhe drejtuesve të kompanisë për ngjarjen. Miniera ishte inspektuar nga RISHM-i për herë të fundit një muaj më parë në prezencë të përfaqësuesve të sindikatave dhe u konstatua brenda parametrave teknike”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: