TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” të cilët u ndaluan me urdhër të Prokurorisë me akuzën për neglizhencë pas vdekjes së 35-vjeçares shtatzënë në muajin e nëntë pak ditë më parë.

Gjykata ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për mjekët Helidon Klosi dhe Dritan Deçka deri në përfundim të hetimeve. Togat e zeza kanë vendosur kështu të hedhin poshtë kërkesën e prokurorisë e cila kërkoi 45 ditë burg për ta.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se vetë mjekët kanë deklaruar se nuk është përgjegjësia e tyre rasti i 35-vjeçares Aida Çajku, pasi ata nuk kanë konstatuar probleme të barrëlindjes dhe kanë gjykuar si të arsyeshme dërgimin e saj në QSUT, ku ka aparatura dhe mjekë specialistë për problemet abdomenit.

Avokatët e mjekëve kanë deklaruar gjithashtu se gruaja kishte 5 muaj pa bërë asnjë analizë.
“Nuk është përgjegjësia jonë sepse ne nuk kemi konstatuar probleme të barrëlindjes. Duke mos patur aparatura dhe specialistë të mirëfilltë e pamë të arsyeshme ta nisnim në qendrën multidisiplinare. Por ne nuk kemi skaner dhe aparatura për të përcaktuar shkakun dhe gjakderdhjen. Nuk mund të ndërhynim. Abdomeni akut ka disa shkaqe të njohura dhe të panjohura. Ne kemi menduar që në qendrën multidisiplinare mund t’i jepej ndihmë më e shpejtë sepse ka edhe specialistë. Pranë maternitetit nuk ka kirurg, kardiologë apo mjekë të specialiteteve të tjera”, kanë deklaruar ata.

Aida Çajku ndërroi jetë mëngjesin e 16 shtatorit pas një ‘odiseje’ vuajtjesh dhe transferimesh sa në njërin spital në tjetrin. As foshnja saj, e seksit femër nuk mund të mbijetojë.

Mjekët kanë këmbëngulur se nuk ishte kompetencë e tyre dhe kanë shprehur shqetësimin për faktin se nga Onkologjiku ka ardhur me tension shumë të ulët dhe parametrat e gjakut të rëna, thuajse e vdekur.
Sipas tyre gruaja duhet të ishte mbajtur në QSUT pasi kanë strukturë të posaçme për të kryer ekzaminime.

Dy obstetër-gjinekologët pritet të rikthehen në maternitet për të vijuar punën e tyre. Prokuroria do të vijojë hetimet edhe në spitalet e tjera ku është paraqitur gruaja natën e 16 shtatorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb