TIRANË- Një ditë pas vdekjes së 26-vjeçarit Sokol Kaca, pasi tentoi të rilidhte energjinë elektrike, një i afërm i tij tregon zona e Kasharit ka mbi 15 ditë pa drita. Qerim Kaca tha për News24 se Sokoli ishte babai i një vajze të vogël, ndërsa familja e tij është në gjendje të vështirë ekonomike.

“Ka mbi 15 ditë që zona e Kasharit nuk ka energji. Janë debitorë ndaj OSHEE 13 milionë lekë të vjetra. Sokoli tentoi të lidhë energjinë, e po e ndihmonte babai. Iu kishin ardhur miq në shtëpi ndaj shkoi të lidhë energjinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00-17:30 të së dielës”, ka treguar Qerim Kaca, i afërm i viktimës.

Ai pohon se familja e 26-vjeçarit, ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike. “Janë debitorë ndaj OSHEE 13 milionë lekë të vjetra. Familja e Sokolit ndodhet në kushte të vështira. Ai la një vajzë të vogël jetime”, ka thënë i afërmi i 26-vjeçarit.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës. 26-vjeçari Sokol Kaca humbi jetën pas kontaktit që pati më rrymën elektrike, duke u përpjekur të lidhte energjinë që i ishte ndërprerë nga OSHEE. I plagosur në vendngjarje ka mbetur edhe i ati. Zona e Kasharit është ndër më të prekurat nga aksioni i OSHEE, për shkak të debive të mëdha. Pak javë më parë, banorët e këtyre zonave bllokuan edhe rrugën dytësore Tiranë-Vorë në shenjë proteste.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb