VLORË- Policia e Vlorës ka ngritur akuzë për “shkelje të rregullave të qarkullimit” për shoferin Petraq Beja, i cili drejtonte mjetin tip “BMW-X6” me të cilin u aksidentua dhe humbi jetën 17-vjeçari Kristi Panajoti.

Por nga ana tjetër policia saktëson se shoferi 21-vjeçar ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka rënë në një gropë në trasenë e rrugës, në të cilën kryheshin punimet për rikonstruksionin e saj. Për të kërkuar llogari për ngjarjen policia ka thërritur për të marrë në pyetje edhe përfaqësuesit dhe punonjësit e firmës që po kryente punimet.

Me deklaratat e fundit, policia hedh poshtë versionin e parë se makina me të cilin udhëtonin dy të rinjtë ra në kanal. Ndërkohë po sot, familjarët e viktimës, 17-vjeçarit Kristi Panajoti deklaruan se do t’i shkojnë deri në fund kësaj ngjarjeje për të zbuluar shkakun e vdekjes së adoleshentit dhe plagosjen e kushëririt të tij.

NJOFTIMI I POLICISË SË VLORËS
Më datë 27.11.2016, rreth orës 23:00, në aksin rrugor Ujë i ftohtë – Skelë, automjeti tip “BMW-X6” me targë AA 010 AU, me drejtues shtetasin Petraq Beja, ka humbur kontrollin dhe ka rënë në një gropë në trasenë e rrugës, në të cilën kryheshin punime për rikonstruksionin e rrugës.

Për pasojë, është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit si dhe pasagjeri (i afërmi i tij), shtetasi K.P., 17 vjeç, banues në Vlorë, i cili për shkak të dëmtimeve të rënda në trup ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal.

Në vendngjarje përveç grupit hetimor, ka qenë prezent edhe Prokurori i cili ka marrë drejtimin e hetimeve në lidhje me aksidentin me pasojë vdekjen e një shtetasi.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se firma fituese e tenderit për rregullimin e rrugës është Firma Greke “I….. – sh.p.k”, ndërsa ajo që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve është firma “Xh… – sh.p.k” me president I.Bega dhe administrator F. Merkaj.

Gjithashtu, drejtuesi i mjetit shtetasi Petraq Beja, 21 vjeç, banues në Vlorë, ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën, ndaj të cilit Policia ka ngritur një masë arresti për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Grupi hetimor përveç hetimeve të tjera për zbulimin e shkaqeve dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit, ka thërritur për të marrë në pyetje përfaqësuesit dhe punonjësit e firmës Nën/Kontraktore “XH.. – sh.p.k”, e cila kryen punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të firmës nën/kontraktore, në pritje të konkluzioneve që do të dalin nga ekspertët dhe nga hetimi i mëtejshëm, i cili do të përcaktojë shkaqet e vërteta të aksidentit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: