Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Kompanitë e sigurimit do të paguajnë dëmet jopasurorere të shkaktuara nga aksidentet në vlerat nga 500 mijë lekë deri në 1.2 milionë lekë në varësi të dëmit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka propozuar ndryshimet në Ligjin e vitit 2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, ka zgjeruar gamën dhe nivelin e kompensimit që kompanitë e sigurimit duhet të japin për aksidentet dhe vdekjet nga automjetet.

Kompensimi i dëmeve varion nga 500 mijë deri në 1 milion lekë, në varësi të dëmit ku përfshihet edhe humbja e jetës. Detyrimi i shoqërisë së sigurimit, që rrjedh nga kontrata e sigurimit përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një shumë më e lartë. Sipas projektligjit, në rast se ka disa palë të dëmtuara nga një ngjarje sigurimi dhe vlera totale e dëmshpërblimit për dëmin pasuror si dhe vlera totale e dëmshpërblimit për dëmin jopasuror tejkalon shumat e përcaktuara në projektligj, të drejtat e palëve të dëmtuara ndaj shoqërisë së sigurimit zvogëlohen në mënyrë përpjesëtimore për secilën figurë të dëmit pasuror dhe jopasuror ndërmjet të gjithë të dëmtuarve deri në përfundim të gjithë shumës së siguruar sipas kontratës së sigurimit.

Projektligji përcakton se në rast se një aksident ndodh ndërmjet një mjeti motorik të siguruar dhe një mjeti motorik të pasiguruar shkaktar i aksidentit, shoqëria e sigurimit e cila ka lëshuar kontratën e sigurimit të mjetit të siguruar trajton dhe i paguan dëmet e shkaktuara mjetit motorik dhe personave që ndodhen në mjetin motorik të siguruar. Gjithashtu, kompenson dëmet e shkaktuara personave që ndodhen në mjetin motorik të pasiguruar. Të gjitha dëmet dhe humbjet e tjera nga mjetet motorike, pronari i së cilës nuk është i pajisur me kontratën e sigurimit, paguhen nga byroja.

Dëmet
Në draft është parashikuar që për dëme pasurore me karakter material, kur shkalla e dëmtimit është e vogël dhe vlerësohet deri në 200,000 lekë, afati i trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim është brenda 14 ditëve kalendarike nga data e plotësimit të dokumentacionit. Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit vetëm në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit dhe/ose përfituesit. Pala e dëmtuar ose përfituesi në rast se merr shërbime nga mbrojtësi ligjor, për dëmet e ardhura si pasojë e një ngjarje sigurimi mund t’i paguajë deri në 5% të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar”. Në draft parashikohet që qendra e informacionit i mundëson palës së dëmtuar të dhëna në lidhje me emrin dhe adresën e pronarit ose përdoruesit të mjetit motorik shkaktar të dëmit, nëse pala e dëmtuar ka një interes të ligjshëm për marrjen e këtij informacioni. Për qëllimet e kësaj dispozite, qendra e informacionit i drejtohet në veçanti shoqërisë së sigurimit, ose organit përkatës të regjistrimit të automjeteve.

Fondi i kompensimit
Fondi i kompensimit i administruar nga byroja depozitohet në një llogari të veçantë, në shumën jo më të vogël se 100 000 000 lekë. Ky fond financohet nga shoqëritë e sigurimit brenda muajit janar të çdo viti, sipas pikës 2 të nenit 45 të këtij ligji. Fondi llogaritet me baza tremujore dhe byroja njofton shoqëritë e sigurimit, duke kërkuar financimin deri në plotësimin e kufirit minimal të tij prej 100 000 000 lekësh brenda 15 ditëve nga data e përfundimit të çdo tremujori.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb