ITALI – Ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare bosi i mafies italiane Bernardo Provenzano. Bosi i “Cosa Nostra”-s vuante nga një sëmundje e rëndë dhe prej dy vjetësh qëndronte në spitalin San Paolo në Milano, në gjendje pothuajse vegjetative.
Kryemafiozi u arrestua 10 vjet më parë, por prej dy vitesh doli nga qelia, duke u dergjur në një shtrat në spital.

Pas arrestimit të Toto Rinës, babai i padiskutueshëm i Cosa Nostras u bë ai, fantazma e Corleones, gjakatari i Siçilisë. Don Bernardo TRAKTORI Pronvenzano. E quanin traktori se sipas gojëdhënave i merrte rivalet përpara me armën e tij si një traktor.

Historia e tij 43- vjeçare si i arratisur, e shndërroi këtë mafioz në një njeri të zgjuar në sytë e të tjerëve. Aftësia e tij për të shmangur autoritetet, që do të shndërrohej në kërkimin më të madh në historinë e Cosa Nostra-s, u bë legjendare ndërkohë që ai shkëputi kontaktet me familjen dhe lëvizi nga një shtëpi e Sicilisë në tjetrën.

Ai ishte në gjendje të drejtonte perandorinë e mafias me ndihmën e “pizzinit”, shënime të shkruara me shkronja të vogla që dorëzoheshin dorë më dorë nga ndihmësit e tij.
Katoliku Provenzano kishte me vete pesë Bibla në momentin e arrestimit; një prej tyre ishte e shkruar me shënime të fshehta, që besohet se ishin kode për disa nga sekretet më të vjetra dhe më të errëta të mafias që ai ka udhëhequr.

11 Prill 2006. Edicionet e lajmeve në mbarë Italinë lajmëruan se babai i fundit i Mafies, “l’ultimo padrino”, “the last godfather”, njeriu që për 43 vjet u tall me drejtësinë Italiane, ai para të cilit dridhej e gjithë Siçilia edhe kundërshtarët në përgjithësi, ishte në dorën e forcave policore.

10 vjet pas arrestimit të tij, “l’ultimo padrino” u shua në një spital në Milano.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: